Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se këtë vit, secili fëmijë do të përfitojë nga 100 euro si mbështetje e qeverisë.
Kreu i qeverisë tha se me këtë vendim për subvencionimin e të gjithë fëmijëve me nga 100 euro, po përmbushet edhe një premtim i dhënë nga ai.
“Qeveria jonë përkujdeset për të gjithë brezat, e veçanërisht për ata që kanë më shumë nevojë. Kam kënaqësinë që sot do të miratojmë një vendim, i cili përmbush një premtim tonin të radhës. Është fjala për subvencionimin e të gjithë fëmijëve, bazuar në të ardhurat e familjes”.
“Sivjet kemi vendosur që të gjithë fëmijët pa dallim, të përfitojnë nga skema dhe shuma e përfitimit të jetë 100 euro”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se qeveria po planifikon një skemë më të sofistikuar, duke filluar, sipas tij, zbatimin edhe të deklarimit të të ardhurave vjetore nga të gjithë prindërit përfitues, ashtu që siç tha, të ketë dallim në mbështetje.