Qeveria e Kosovës ka dërguar një raport 48-faqësh në Bashkimin Evropian dhe secilin shtet anëtar të saj qysh në vitin e kaluar në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë.
Kështu i është kundërpërgjigjur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Pjeter Stano, për deklaratën e dhënë se Kosova ende nuk i ka dorëzuar raport BE-së për sulmin në Banjskë.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, brenda kompetencave tona, kemi përpiluar një raport 48-faqësh në lidhje me sulmin terrorist dhe paramilitar, të cilin ia kemi dorëzuar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtarë qysh vitin e kaluar. Këtë informacion besoj që zëdhënësi Stano duhet ta ketë”, ka deklaruar Kryeziu.
Kryeziu ka thënë se nëse është fjala për raport që duhet të përgatitet nga prokuroria, për këtë duhet të kërkohet përgjigje nga ky institucion, pasi sipas tij është shqetësuese që 9 muaj pas sulmit në Banjskë ende nuk ka aktakuzë të ngritur nga ky institucion.
“Nëse ai në deklaratat e tij të vazhdueshme e ka fjalën për raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit, atëherë kjo është një çështje për të cilën duhet të kërkojmë përgjigje nga vetë ky institucion. Për ne, mbetet tejet shqetësuese dhe e pakuptimtë që edhe pas 9 muajve, në njërën anë nuk ka aktakuzë nga prokuroria e vendit për Millan Radoiçiq dhe në anën tjetër bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë, përkundër fakteve që dëshmojnë përfshirjen e saj në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023. Rikujtojmë që Radoiçiq vazhdon të mbetet i lirë dhe rrezik potencial i vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen në rajon”, ka vijuar ai.