Shteti fqinj, Maqedonia e Veriut pritet të bëhet me kryeministrin e parë shqiptar në 100 ditët e fundit kësaj përbërje qeveritare.
Në lidhje me këtë temë, ka folur sot kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski tha se marrëveshja që kanë me BDI-në nga viti 2020 është ende në fuqi, e cila parasheh kryeministër shqiptar për 100 ditët e fundit të qeverisjes.
Sipas Kovaçevskit, koalicionit apo frontit europian, duhet t’i bashkëngjiten partitë që ndajnë idetë e përbashkëta.
“Ne BDI-në kemi marrëveshje të qartë koalicionuese e cila është publike nga viti 2020. Gjithsesi se për modalitetet me ta po bisedohen mirëpo konsideroj se qëllimi për realizimin e koalicionit europian të cilën do ta udhëheqë një front i gjerë sa i përket promovimit të asaj ideje, është gjëja kyçe e cila do t’i bashkojë partitë në zgjedhjet e ardhshme.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, percjell TV21.
“Shihni, nuk bëhet fjalë për bindje, qoftë të bindë unë dikë apo dikush të më bindë mua për diçka. Kur bëhen koalicione, me rëndësi është të ndahen vlera të përbashkëta. Konsideroj se Aleanca e ka atë kapacitet të bisedojë në tema të tilla duke patur parasysh potencialin e tyre kadrovik dhe përcaktimeve të tyre programore.”- pohoi ai.