Zyra për Media e Qeverisë, ka bërë me dije se sot është mbajtur një mbledhje elektronike e Qeverisë, ku janë marrë disa vendime.
Përveç disa emërimeve, Qeveria Kurti ka marrë vendim sot për ndarjen e 273 mijë e 600 eurove për zbatimin e masës 3.4 e cila ka të bëjë me Kupon ushqimi për familjet në nevoje të Pakos për Ringjallje Ekonomike.
Gjithashtu Qeveria ka ndarë edhe 500 mijë euro për zbatimin e masës 1.7 te Skema e Granteve për Zanate të Pakos për Ringjallje ekonomike.
Vendimet e marra sot:
– Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 07/60 të datës 27.01.2021 dhe Vendimit Nr. 08/121 të datës 25.01.2023 për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit Nr. 11/68 të datës 23.03.2022 për formimin e Komisionit për Kontrollin e Tregtisë me Mallra Strategjike. Sipas këtij ndryshim-plotësimi, z. Driton Ademi, zëvendës anëtar, zëvendësohet nga z. Destan Mustafa, zëvendës anëtar i këtij komisioni. Gjithashtu znj. Elmaze Pireva, anëtare, zëvendësohet nga z. Berat Jashari, anëtar.
– Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 04/143 të datës 24 maj 2023, sipas së cilit ndryshohet dhe plotësohet pika 1.5 e vendimit në fjalë si në vijim: 1.5. Znj. Adelina Berisha, përfaqësuese nga Shoqëria Civile, anëtare.
– Vendimin për ndarjen e 273,600 euro për zbatimin e masës 3.4 – Kuponë ushqimi për familjet në nevojë të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
– Vendimin për ndarjen e 500,00 euro për zbatimin e masës 1.7 – Skema e Granteve për Zanate të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
– Vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”.
– Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Komunës së Prizrenit dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prizren” .
– Raportin e Vlerësimit të Përshtatshmërisë së Sistemit të Financimit të Komunave për vitin 2023.
– Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023.