John Duncan, ish-këshilltar i Komandantit të Forcave të NATO-s, Wesley Clark, ka thënë se Xhavit Haliti ka qenë një person me interes të veçantë për ta. Këto komente ai i bëri gjatë ditës së dytë të dëshmisë së tij si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Deklarata e Duncan erdhi pasi atij iu prezantua një fotografi e Halitit në një takim me disa komandantë të UÇK-së. “Unë e di kush është ky zotëri, dhe ai është një person me interes të veçantë për ne, ka qenë, por nuk jam i sigurt nëse jam i përgatitur ose i aftë ta zbuloj kush ishte ai”, tha ai.
Në një pjesë të dëshmisë, kur u pyet për identifikimin e Halitit, Duncan tha se personi në fotografi nuk përputhej me atë që ai e kishte njohur si Xhavit Halitin në një takim në Tiranë. Pas kësaj, ai kërkoi që seanca të vazhdonte në sesion privat për të dhënë më shumë detaje rreth tij.
Dëshmia e Duncan ka sjellë në qendër të vëmendjes rolin e Halitit dhe interesimin që NATO kishte për të gjatë periudhës së luftës në Kosovë.