Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës ka folur pas publikimit të pjesës së dytë të përgjimeve me zyrtarin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, teksa ka paralajmëruar padi ndaj gazetarit Berat Buzhala.
Ajo ka thënë se në videot e publikuara përpos se “biseda është e cunguar”, përmban edhe interpretime dhe komente të vazhdueshme të gazetarit Buzhala, me të cilin paralajmëron se do të ballafaqohet në gjyq.
“Sot biseda e lëshuar, përveç se është e prerë, e cunguar përmban edhe interpretime dhe komente të vazhdueshme të Berat Buzhalës për të cilat do të ballafaqohemi në gjyq. Si e parë e punës, është incizimi i paautorizuar nga Sllavko Simiq. Si e dytë e punës, është mosmarrja e asnjë konfirmimi nga unë lidhur me këto incizime nga Berat Buzhala, dhe si e treta komentet, nxitja, fyerja dhe cenimi i integritetit-personalitetit”, u shpreh ajo.
Kusari-Lila gjithashtu tha se komentet që Buzhala i thotë gjatë shkëputjeve të videove, sipas saj janë të rrezikshme.
“Komentet që bëhen në mes të shkëputjeve fillon ajo pjesa në të cilën në mënyrë të rrezikshme në raport të fjalës së lirë dhe keqpërdorimit të fjalës së lirë, Berati hynë duke fillu prej asaj çka rithekson e komenton disa herë, e deri te pjesa tjetër”, tha ajo në ATV.