Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka bërë deklarata të rëndë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në një punim akademik të botuar më 22 gusht 2012.
Në këtë punim, Basha pretendon se gjatë ngritjes së saj, UÇK-ja kishte bashkëpunuar me kriminelë brenda dhe jashtë Kosovës.
“Ka pasur akuza të shumta nga agjencitë perëndimore të zbatimit të ligjit se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), gjatë ngritjes së saj, bashkëpunoi me kriminelë shqiptarë etnikë brenda dhe jashtë Kosovës”, shkruante Basha.
Ai theksonte se fondet për UÇK-në nuk vinin vetëm nga diaspora shqiptare, por edhe nga rrjete të trafikut të drogës që operonin në Evropën Perëndimore dhe SHBA.
Sipas tij, kjo mbështetje përfshinte edhe dërgimin e luftëtarëve të armatosur për t’u bashkuar me UÇK-në dhe blerjen e armëve në emër të saj.
Në punimin e tij, Basha citon raste gjyqësore nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Çekia, të cilat, sipas tij, sugjeronin lidhje të forta midis trafikantëve të drogës dhe UÇK-së.
Ai përmend një rast në Belgjikë, ku “i ashtuquajturi ‘bosi i mafias shqiptare’ VH” i kishte lënë plumba para dyerve të familjeve shqiptare në diasporë si mjet presioni për pagesën e “taksave vullnetare” në mbështetje të UÇK-së.
Basha shprehet se mbijetesa e UÇK-së “varej nga financimi që merrte nga banditët patriotikë që operonin përtej kufijve”.
Ai përmend edhe emrin e ish-deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, duke thënë se ky i fundit kishte rol kyç në fondin “Vendlindja Thërret”, i cili grumbullonte të ashtuquajturat taksa vullnetare.
Sipas punimit të Bashës, një raport i KFOR-it e lidhte Halitin me menaxhimin e këtij fondi, duke pretenduar se kur financimi kishte rënë, fondi “u kthye në krim të organizuar në një masë të madhe”.
Publikimin në rrjetin social Facebook, të këtij punimi e ka bërë gazetari Besnik Krasniqi.
Pas kësaj, pati reagime të ashpra në rrjete sociale, duke e quajtur absurde mënyrën se si Basha ka propaganduar kundër UÇK-së, dhe luftës çlirimtare.
Publikimin e plotë mund ta gjeni KËTU.