“Betimi për Drejtësi” ka gjetur pikërisht politikanë të cilët ndërtuan pa leje. Disa prej politikanëve, objektet e të cilëve janë hulumtuar ndërtimet pa leje i arsyetojnë me faktin se “nuk kishin kohë” të merreshin me dokumentacionin, e në disa raste të tjera ndërtimet u bënë nga familjarët e tyre.
Në bjeshkën e bukur të Moknës, në zonën perëndimore të Kosovës, në afërsi të Istogut, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, para shtatë vitesh ka ndërtuar një shtëpizë, pa leje.
Për këtë, ai thotë se nuk i pyeti institucionet, por banorët e fshatit.
“Pse, pse me leje, kallxom ti mu. Qysh është leja?”, deklaroi deputeti Berisha, kur u pyet nga “Betimi për Drejtësi” pse ndërtoi pa leje shtëpizën malore.
“Ajo është ndërtu qe nja 7 vjet. Është ndërtu në një zone kufitare. Aty ku e kam ndërtu unë është edhe përmendorja e një djali të ri që e kanë vra serbët prej baze aty edhe kam deshtë me pas prani në atë pjesë. Fillimisht i kam pyet ata fshatarët sepse ajo është pronë e fshatit, quhet. Ka plot këso, ju duhet me trajtu edhe këtë fenomen. i kam pyet: A muj me bë një stan këtu? E kam marrë miratimin e tyre se nuk bën pa i pyet ata fshatarët edhe e kam bë një vikendicë të vogël, nja 2 ari vend. Pastaj e kam rrethu për me i rujt do pisha se pos qatyhit kërkun nuk ka se i kanë pre krejt komuna, t’u i keqpërdorë”, vazhdoi më tej sqarimin e tij Berisha.
Më pas Berisha tregoi se përveç banorëve të zonës, u interesua edhe për ta legalizuar, por nuk e gjeti adresën e duhur.
“Po kam këqyrë, po këtu s’din kush me të kallxu as ku duhet me bë kërkesën as kush është kompetent. Veç thojnë jo zyra kho, jo zyra në Pejë, jo zyra në Prishtinë, jo zyra në komunë, po kjo o metë qishtu, edhe unë nuk jam fort i zoti me ju nga pak, tash unë për një vikendicë me nga nëpër krejt Kosovë, mas ktyne, kush janë këta zyrtarë e çka janë. Po nuk kam ditë kurrë me i ra në fije qysh, ku me bë se nuk ka pranu kurrëkush, jo na s’jemi, jo na s’jemi, jo na s’jemi”, shtoi ai.
Dukagjin Hoxha, Drejtor në Drejtorinë e Planifikimit Urban dhe Mjedis në Komunën e Istogut, thotë se deputeti Berisha nuk ka bërë asnjëherë kërkesë për leje apo legalizim të shtëpizës që ka ndërtuar në Mokne.
“Pranimin e lëndës nga qendra për shërbime me qytetar e bëj unë personalisht dhe me protokollet tona zyrtare nuk kemi shënim zyrtar që pala e lartcekur që e potencuat që ka bërë kërkesë për leje ndërtimore apo qoftë ndonjë kërkesë tjetër”, deklaroi Hoxha.
Se asnjëherë nuk bëri kërkesë me shkrim, e pranon edhe deputeti Berisha.
“Gazetarja: A keni bë kërkesa me shkrim në komunë a ministri, apo vec jeni takuar fizikisht?
Bekë Berisha: Po more, po kam provu njëherë, e qysh me bë kur s’ta pranon ai, thotë unë nuk jam, tani unë nuk jam. Shkon në Pejë, nuk jam. Në Prishtinë, nuk jam. Unë nuk jam, kurrëkush nuk është. Dmth kurrëkush nuk i del përballë kësaj pune. Veç qishtu e zgatin, procedura burokratike, në mënyrën për me u bë politike kjo punë edhe ti me më vetë mu, pse ke ndërtu pa leje një stan.
Tashti vetëm a nihesh keq prej këtyre njerëzve, hajt vetëm? Dmth hiq hiq.
Gazetarja: Në çfarë aspekti a ndihesh keq?
Si kam ndërtu pa leje, ose duhet me kanë unë shembull. Kallxom ti mu qysh duhet me u bë shembull një politikan, për një çështje qeshtu.
Gazetarja: Me respektu ligjin.
A?
Gazetarja: Me respektu ligjin.
Po ligjin e respektoj, po cilin ligj, ku me respektu, cilën zyre, ku janë udhëzimet? Qysh duhet me bë?
Gazetarja: Me u interesu, ato janë të..
Po jam interesu, a po të kallëzoj që jam intresu”, sqarohet Berisha.
Në anën tjetër Dukagjin HOXHA, Drejtor në Drejtorinë e Planifikimit Urban dhe Mjedis në Komunën e Istogut thotë se të gjitha këto detaje janë të përcaktuara në ligj.
“Ligji i përcakton të gjitha, cilat janë kompetenca e marrjes së një leje ndërtimore, nuk ka nevojë të endet nëpër objekt e nëpër zyre, por ligji e përcakton se në cilën zyre duhet e ku me i marrë informacionet e duhura dhe me u pajisë”, tha ai.
Por deputeti Berisha, pretendon se krejt këtë punë, të mos dhënies së informative të duhura, ia bënë me qëllim.
“Po kurrë s’kam pas informatë, jo duhet kështu, burokratike e bojshin. Qëllimi është për me më lanë si politikan, për me ardhë unë me dhanë këtë intervistë këtu te ti, demek që ajo është pa leje”, tha ai.
Kushtrim Buleshkaj, Drejtor i Inspeksionit në Istog përmes postës elektronika ka thënë se janë në dijeni për këtë ndërtim pa leje, i cili kur është inspektuar, si ndërtim ishte i përfunduar. Dhe si i tillë, është përfshirë në një raport të përgjithshëm të hartuar nga Drejtoria e Urbanizmit, i cili mbulon të gjitha ndërtimet pa leje në atë zonë.
“Ne po ndjekim të gjitha procedurat e nevojshme për të adresuar këtë çështje në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi”.
Buleshkja, më tej ka treguar edhe hapat e ndërmarrë për këtë rast.
“Është vendosur shenja zyrtare për ndërprerjen e Punimeve. Është bërë Inspektimi dhe Dokumentimi: Një ekip inspektorësh ka vizituar territorin në bjeshkët e Istogut për të verifikuar ndërtimet pa leje dhe ka përgatitur një raport të detajuar mbi gjendjen aktuale. Është bërë njoftimi i palës: z.Berisha është njoftuar zyrtarisht për shkeljen dhe është ftuar të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm për legalizim. Po ashtu është njoftuar për afatin e Legalizimit”, ka njoftuar Buleshkaj përmes postës elektronike.
I pyetur nga “Betimi për Drejtësi”, deputeti Berisha ka treguar se njoftimi i Komunës së Istogut për procedura të legalizimit i erdhi pas interesimit të ekipit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, për këtë rast.
Përmes telefonit Berisha ka treguar se njoftimin nga komuna e pranoi pasi u intervistua ai nga ekipi i emisionit më datë 22 korrik.
Për më shumë, ndiqeni hulumtimin “Politikanë dhe ndërtime pa leje”, i cili transmetohet në Betimi për Drejtësi, KTV dhe TVArta/BetimipërDrejtësi