Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë.
Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë.
Një rast i tillë ka ndodhur sot në fshatin Pataqan të Epërm të Rahovecit, ku pesë persona janë përfshirë në një rrahje dhe të njëjtit tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se tre anëtarë të një familje në njërën anë dhe dy të një familje tjetër kanë sulmuar njëri – tjetrin si pasojë e një mosmarrëveshje momentale që eskaloi nga debati në dhunë.
Tre nga të dyshuarit kanë marrë trajtim mjekësor në Emergjencën e Rahovecit, ndërsa dy të tjerë janë dërguar në Spitalin Rajonal të Gjakovës.
Sipas informacioneve të para, motiv i rastit dyshohet të ketë qenë një fjalosje se kush kujt po ia zë rrugën, që i futi në sherr anëtarët e dy familjeve.
Posa rasti është denoncuar, të njëjtat burime thonë se Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para dhe deklaratat e disa dëshmitarëve për incidentin që ka ndodhur.
Të dyshuarit pas trajtimit mjekësor kanë përfunduar në Polici, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin për të cilin dyshohen.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”.