Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dega në Prishtinë, ka folur në “Pressing” të T7 për prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në nivel lokal.
Ismaili ka treguar se ku ka qenë problemi i PDK-së me këmbimet e pronave.
Ai ka theksuar se nuk është bërë e ditur se cili është interesi publik i këtij këmbimi.
“Sepse ideja është që një parcelë në zonën e gjelbër e cila nuk dihet cili është interesi publik në të. Nuk dihet që ka me u ndërtu një shkollë, nuk dihet që ka me u ndërtu një rrugë sepse këto këmbimet e tokave kanë një logjikë mbrapa vetës, ligji e rregullon. Duhet me pas një interes publik, shkollë, rrugë, spital, qendër rinore, një qendër kulturore, çfarë do që sheh brenda planit tënd”, ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se kjo praktikë mundëson krijimin e një norme të re mbi të cilën këmbehen pronat, gjë që Ismaili nuk pajtohet.
Më tutje, ai ka thënë se këto praktika rregullohen me ligj.
“E para është që nuk ka bazë ligjore, ajo që nuk rregullohet me ligj është e kundërligjshme, në këtë rast e parandalon. Nuk mundet askush që zonat e gjelbërta pa interes publik t’i kthejë në zona shumë fitimprurëse”, ka thënë ai. /Gazeta Express