Manastiri i Deçanit, ndonëse është monument fetar i periudhës së Mesjetës, po vazhdon të ruhet nga ushtarë të KFOR-it edhe në shekullin XXI.
Organizata Europa Nostra gjatë vizitës në Kosovë ka kërkuar nga KFOR-i që të vazhdojë ta ruajë Manastirin e Deçanit 24 orë, të cilin vitin e kaluar e ka përfshirë në listën e 7 Monumenteve më të rrezikuara të trashëgimisë në Evropë.
Por, ministri i Kulturës Hajrullah Çeku ka thënë se kjo organizatë e ka humbur kredibilitetin pasi i është nënshtruar Serbisë. Misioni i KFOR-it në një përgjigje për Express thonë se ndaj Manastirit të Deçanit s’ka pasur asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë që nga viti 2016 kur në afërsi të tij janë konfiskuar armë dhe eksploziv nga policia e Kosovës.
Një delegacion i Europa Nostra-s ka qëndruar në Kosovë në fillim të korrikut dhe në raportin e publikuar për vizitën e tyre kanë kërkuar nga KFOR-i që të vazhdojnë ta ruajnë Manastirin e Deçanit 24/7 për shkak të “sfidave komplekse të sigurisë”.
Express ka dërguar pyetje në adresë të misionit paqeruajtës të KFOR-it për ta pyetur se cilat janë sfidat komplekse të sigurisë rreth Manastirit të Deçanit që edhe pas 23 vjetëve të vazhdohet të ruhet nga ta.
Një zyrtar i KFOR-it tha se Manastiri i Deçanit është i vetmi monument fetar në Kosovë që ruhet nga ta pa dhënë detaje mbi rrethanat e sfidave komplekse të sigurisë, siç e ka cilësuar Europa Nostra arsyen e kërkesës së tyre që KFOR-i ta ruajë non-stop këtë monument fetar.
“KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së (që rrjedh nga Rezolutat 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999) për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Si pjesë e kësaj detyre, KFOR-i monitoron nga afër situatën e sigurisë në Kosovë, duke përfshirë Manastirin e Visoki Deçanit dhe rrethinën e tij.
Manastiri i Visoki Deçanit në Deçan është i vetmi monument fetar që ruhet nga KFOR-i dhe misioni udhëheqës i NATO-s në Kosovë po vazhdon të monitorojë nga afër gjithçka që mund të ndikojë në situatën e sigurisë dhe veçanërisht të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Manastirin e Deçanit”, thuhet në përgjigjen e tij për Express.
Por nga misioni paqeruajtës thonë se s’ka pasur asnjë incident serioz që nga viti 2016, kur në afërsi të Manastirit ishin konfiskuar armë dhe eksploziv nga policia e Kosovës.
“Incidenti i fundit në afërsi të Manastirit të Visoki Deçanit ka ndodhur në vitin 2016, kur Policia e Kosovës ka konfiskuar armë dhe eksploziv. Që atëherë, asnjë kërcënim i drejtpërdrejtë fizik ndaj Manastirit nuk është identifikuar”, ka thënë ky zyrtar i KFOR-it.
Të pyetur nëse KFOR-i e ka konstatuar se është e panevojshme ta vazhdojnë ta ruajnë këtë monument fetar 24/7, ky zyrtar i tha Gazetës Express se çfarëdo ndryshimi mbetet i bazuar në kushte dhe jo nga periudha kohore.
“Çfarëdo ndryshimi ndaj sjelljes së forcës sonë në KFOR mbetet i bazuar në kushte e jo i udhëhequr nga kalendari. KFOR-i ka një operim fleksibil dhe të dukshëm në terren, që i lejon ata të trajtojnë menjëherë çdo zhvillim që mund të ndikojë në situatën e sigurisë. Si reagues i nivelit të tretë, KFOR-i vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me tre nivelet e reagimit të sigurisë ndaj krizave. Përjashtimi i vetëm është Manastiri i Deçanit, ku KFOR-i është reaguesi i parë ndaj çdo kërcënimi të sigurisë ndaj Manastirit. KFOR-i shqyrton kohë pas kohe situatën”, tha ai.
Përveç kontestimit të situatës së sigurisë rreth Manastirit të Deçanit, prona e 24 hektarëve tokë është një tjetër çështje kontestuese lidhur me këtë monument fetar.
Gjykata Kushtetuese në vitin 2016 i ka dhënë të drejtë Manastirit të Deçanit për pronësinë e këtyre hektarëve, por vendimi s’është zbatuar ende. Çdo vit, bashkësia ndërkombëtare i kërkon qeverisë së Kosovës që të zbatojë këtë vendim të Kushtetueses.
Lidhur më këtë, organizata Europa Nostra në raportin e tyre theksojnë se moszbatimi i këtij vendimi “cenon shtetin ligjor dhe sigurinë juridike të Manastirit dhe tokës përreth”.
Moszbatimi i këtij vendimi është parë edhe si kushtëzim për Kosovën që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, mekanizëm në të cilin qeveria e Kosovës ka aplikuar për anëtarësim në muajin maj.
Në anën tjetër, delegacionin e organizatës Europa Nostra e ka pritur ngrohtësisht Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, të cilëve u ka shtruar edhe darkë në ambientet e manastirit si dhe i ka falënderuar për vizitën dhe gatishmërinë për të theksuar nevojën e mbrojtjes së trashëgimisë në Kosovë.