Partia Demokratike e Kosovës e ka kthyer përsëri në diskutim në Kuvend idenë e tërheqjes së parave nga Trusti Pensional i Kosovës.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi duke adresuar kritika ndaj qeverisë për gjendjen ekonomike në vend, ka propozuar disa masa të reja, që sipas tij do të ndihmonin në këtë krizë.
“Ne kërkojmë nga qeveria t’i marrë pesë masa: Të lirohen nga TVSH-ja të gjitha produktet esenciale për gjashtë muaj, të lirohen për gjashtë muaj nga akciza produktet e naftës, të lirohet energjia elektrike nga TVSH-ja dhe të subvencionohen 25 për qind faturat e energjisë, të rriten pagat për aq sa është norma e inflacionit dhe të lejohet tërheqja deri në 30 për qind e mjeteve nga trusti”- ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë krizat në vend po gjejnë terren të lirë për shkak të paaftësisë së kësaj qeverie.
“Kjo qeveri më shpejtë se që do të mund ta imagjinonte ndokush e ka humbur ndjenjën ndaj probleme të qytetarëve, për faktin se vet janë akomoduar mirë po mendojnë që edhe qytetarët po jetojnë mirë. Krizën nëpër të cilën po kalon vendi qeveria nuk po e sheh si krizë ekonomike por si luftë politike”- ka thënë Krasniqi.