Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, si zakonisht ka propaganduar kundër Republikës së Kosovës.
Ai në një intervistë për një media të Banja Llukës ka përsëritur qëndrimin rus duke thënë se Kosova është “territor i paligjësisë”, dhe sipas tij vendimi në Asamblenë e Këshillit të Evropës për pranimin e Kosovës është i “turpshëm”.
Madje ai shprehet se edhe ministrat do të marrin vendim pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
“Për disa ditë, javë, edhe Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të vendosë për këtë çështje dhe nuk ka dyshim se do të marrin të njëjtin vendim”, tha ai.
“Aktivitetet e tyre në lidhje me Kosovën dhe Këshillin e Evropës tashmë po e arsyetojnë me faktin se në Kosovë ka progres të dukshëm në luftën kundër korrupsionit, në krijimin e një sistemi gjyqësor efikas. Por të gjithë e dinë se Kosova është një territor i paligjësisë”, tha Lavrov.
Kryediplomati rus tutje e ka nxitur Serbinë duke folur kundër rezolutës së OKB-së për Srebrenicën.
“Qëllimi për të shtypur serbët ende është duke vazhduar. Dhjetë vjet më parë, ata u përpoqën të miratonin një rezolutë të tillë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ne vendosëm veton ndaj saj. Është e pamundur të shpjegohet se si drejtohen evropianët në terma praktikë kur e shtyjnë këtë ide, përveç një arsyeje: serbët janë shumë kokëfortë. Serbët nuk i binden kërkesave për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, serbët nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, ata nuk duan që Kosova të jetë anëtare e organizatave ndërkombëtare”, tha Lavrov.
Ai pretendon se kjo është një lëvizje me të cilën Perëndimi i jep ultimatum Beogradit.
“Në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik portretizohet si personazhi negativ kryesor, i cili gjoja shkatërron Dejtonin, megjithëse ai dhe ekipi i tij janë të vetmit në Bosnje që luftojnë për parimet e Dejtonit”, tha kreu i diplomacisë ruse.