Pronat apo performanca? Lëkundet fort koalicioni LDK-PDK në kryeqytet, nesër seanca e jashtëzakonshme

Me arsyetimin se nuk punuan sa duhet, kryetari i Prishtinës nisi një “ristrukturim” të qeverisjes në kryeqytet që nisi me shkarkimin e drejtorit të Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu dhe vazhdoi me shkarkimin e nënkryetares, Donjeta Sahatçiu, e cila reagoi.

Këta dy, që vijnë nga PDK-ja, thonë se Përparim Rama po u hakmerret pasi kundërshtuan këmbimin e një prone komunale. Nesër mbahet një seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal në kryeqytet.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës u këndellën në zgjedhjet lokale të nëntorit të vitit 2021, pak pasi kishin pësuar një humbje të rëndë nga Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare në shkurt të po atij viti.

Dy partitë që e kanë kundërshtuar historikisht njëra-tjetrën, por edhe kanë bashkëpunuar, qeverisin bashkë në kryeqytet, në një koalicion që ka disa ditë që po lëkundet fort.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama të premten e shkarkoi nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliun nga PDK-ja, një lëvizje e papritur sipas këtij të fundit, që thotë se nuk është paralajmëruar e as s’i është dërguar vendimi.