Si e shoh zgjidhjen? Sigurisht që hapi i parë është diagnoza e saktë e gjendjes dhe veçanërisht siç ka bërë Dragusha në shkrimin e tij. Por, duhet të flasim hapur për ata që e kanë sjellë këtë situatë. Kjo do të parandalonte gjithashtu riciklimin e tyre, qoftë në skenën politike apo mediatike
Fadil Sahiti
Një shkrim interesant i gazetarit Dritan Dragusha me titull ‘Republika e dështakëve’, të cilin do ta rekomandoja ta lexonin të gjithë. Është një përshkrim i saktë i gjendjes sonë shoqërore, veçanërisht asaj morale. Nuk do të hiqja asnjë presje nga shkrimi. Është e vërtetë se pothuajse në çdo fushë të jetës Kosova sot i ngjan një “djerrine”, siç e quan autori. Ajo që unë mendoj se nuk është e saktë ka të bëjë me shkaktarët e kësaj gjendjeje. Nuk jam dakord dhe për më tepër nuk besoj se është e drejtë që kur ai na bën bashkëfajtorë të kësaj gjendjeje. Nuk besoj që…”secili prej nesh ka kontribuar…kush më pak e kush më shumë, në varësi të pozicionit që kemi, që ky vend të shkojë drejt dështimit”.
‘Djerrina’ ku jetojmë ka një adresë, dikush e ka krijuar, nuk është ‘ex nihilo’. Më konkretisht, për mendimin tim, ka individë, ka grupe njerëzish që me projekte e kanë sjellë gjendjen ku jemi. Mendoj që tre kanë qenë promotorët kryesorë të kësaj ‘djerrine’.
Së pari, promotorët kryesorë janë kasta politike që ka qeverisur Kosovën që nga paslufta, veçanërisht pas vitit 2008. Kjo kastë politike, e përbërë nga ish-luftëtarë dhe pacifist të LDK-së, karakterizohet me mungesë të qartë të vetëdijes politike për shtetndërtim. Për më tepër, bindja ime është që këta njerëz nuk kanë pasur qëllim për të ndërtuar shtet. Qëllimi i tyre ka qenë zhvatja ekonomike, por edhe kapja e pushtetit politik, i cili i ka shërbyer kryesisht qëllimit të parë.
Së dyti, elita intelektuale ka qenë një promotore e fortë e kësaj djerrine. Por, në këtë grup ka dy nëngrupe. Në nëngrupin e parë do fusja ‘intelektualët’ që aktivisht i kanë shërbyer të keqes, madje e kanë promovuar atë. Këta ‘intelektualë’ i kanë dhënë legjitimitet moral të keqes. Unë do të përdorja emra pa problem, por të gjithë e dimë se cilët janë këta njerëz. Shumë prej tyre kanë grada shkencore (PhD) dhe kanë mbajtur funksione politike, kryesisht zëvendëskryeministra, ministra të arsimit, ministra të drejtësisë, ministra të punëve të jashtme e të tjerë. Në nëngrupin e dytë bëjnë pjesë intelektualët që kanë heshtur, të cilët nuk kanë përdorur armën kryesore që zotërojnë, mendjen dhe fjalën. Ata kanë heshtur kryesisht për qëllime personale, kritikat e tyre intelektuale i kanë shkëmbyer për poste shoqërore, ambasadorë, këshilltarë politikë etj.
Së treti, promotori i fundit, por jo më pak i rëndësishëm, janë ata që në jetën publike njihen si “Fuqia apo Pushteti i Katërt”, gazetarët dhe shtëpitë mediatike. Nuk ka nevojë të elaboroj rolin dhe fuqinë e gazetarëve dhe shtëpive mediatike, si në kapacitetin e tyre të qartë avokues ashtu edhe në aftësinë e tyre për të kornizuar dhe promovuar çështje të caktuara politike. Siç e kuptoj unë, roli i gazetarisë, veçanërisht i gazetarisë investigative, është të veprojë si mbrojtës i interesit publik. Në këtë drejtim, puna e kësaj gazetarie nuk është e lehtë, sigurisht që ka edhe rreziqe. Në mendjen time, nuk e di nëse në këto 25 vite liri është burgosur ndonjë gazetar për shkak të hetimeve të krimit. Këtu në vendin tonë gazetaria ka shërbyer për pasurimin e individëve dhe grupeve të ndryshme të interesit; gazetaria dhe shtëpitë mediatike kanë qenë në shërbim të politikës, të promotorëve të parë të krijimit të kësaj ‘djerrine’. Fatkeqësisht, edhe sot shtëpitë mediatike bëjnë të njëjtën gjë, promovojnë grupe të veçanta të interesit; rehabilitojnë dhe riciklojnë në jëtën mediatike ish-deputetë, ish-politikanë dhe ish-këshilltarë politikë.
Me të drejtë lexuesi do të më pyeste, si e shihni zgjidhjen? Sigurisht që hapi i parë është diagnoza e saktë e gjendjes dhe veçanërisht siç ka bërë Dragusha në shkrimin e tij. Por, duhet të flasim hapur për ata që e kanë sjellë këtë situatë. Kjo do të parandalonte gjithashtu riciklimin e tyre, qoftë në skenën politike apo mediatike.