Prokurorja Drita Hajdari po merr pjesë në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Derisa foli për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, ajo tha se nuk ka statistika reale për numrin e viktimave të të dhunuarve gjatë luftës.
“Krimet e luftës, në mesin e të cilave, dhuna seksuale gjatë luftës është një barrë e cila e ngarkon shoqërinë tonë. Është një çështje që pas luftës është fol me një dozë turpi, me një dozë dëshpërimi se çka ka ndodh në Kosovë.
Mirëpo falë shoqërisë civile dhe institucioneve tona të cilat filluan t’i trajtojnë këto raste, dhuna seksuale gjatë luftës doli nga errësira, mirëpo ende nuk ekzistojnë statistikat reale për numrin e personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë dhe akoma para prokurorisë speciale është një sfidë e madhe për zbulimin, regjistrimin dhe hetimin e këtyre krimeve”, tha ajo.
Ajo tha se janë rreth rreth 900 lëndë dhe rreth 2 mijë dosje për të zhdukurit.
“Ajo që e vështirësoi punën tonë, që mori shumë kohë ishte fakti që pas luftës, neve prokurorëve vendor nuk na është lejuar që t’i ndjekim këto vepra penale, kjo punë i është besuar fillimisht UNMIK-ut, pastaj EULEX-it. Kanë bërë shumë pak, fatkeqësisht shumë pak dhe përkundër mundësive të cilat i kishin si dy misione të fuqishme për sundimin e ligjit, në këtë fushë kanë mbetur një numër i madh i lëndëve të mbetura pas përfundimit të misionit të EULEX-it, të cilat janë diku rreth 900 lëndë dhe rreth 2 mijë dosje për të zhdukurit”, u shpreh tutje ajo.