Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj Rozeta Hajdarit për aferën me rezervat shtetërore

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Vet Hajdari ka njoftuar se tashëm Prokuroria ka dorëzuar aktakuzën ndaj saj në Gjykatën Themelore të Prishtinës, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore.

Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media. Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.” – ka shkruar Hajdari.

Ndryshe, Hajdari është intervistuar më 31 korrik nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurës sa i përket dyshimeve për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Më 2023, tre persona u arrestuan për këtë rast dhe në mesin e tyre ishin edhe punonjës të kësaj ministrie.

Në këtë dikaster, po atë vit, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.