Prokurori i Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, që hetoi rastin e 400 kilogramëve kokainë dhe hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend nga deputetët, është caktuar për hetimin e rastit për mos ardhjen e vajit dhe një sasie të grurit nga rezervat shtetërore.
Albanian Post mëson nga burime brenda organeve të drejtësisë se prokurori, Valdet Gashi, bashkë me hetuesit e krimeve ekonomike ka nisur intervistimin e personave kyç në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që janë përgjegjës për rastin e mungesës së rezervave shtetërore që ishin ndarë 10 milionë euro me vendim të Qeverisë së Kosovës.
Këto 10 milionë ishin destinuar për blerjen e grurit dhe vajit dhe produkteve tjera që e parasheh ligji, mirëpo afër 300 mijë litra vaj ende nuk kanë ardhur nga kompania polake.
Deri më tani, sipas burimeve, janë intervistuar zyrtarët e Departamentit të Financave dhe të Departamentit të Rezervave Shtetërore të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
AP mëson se pas intervistimit të përgjegjësve dhe mbledhjes së fakteve do të ngrihet edhe aktakuza nga Prokuroria Speciale.
Në fillim të muajit gusht dy hetues të Krimeve Ekonomike kanë nisur mbledhjen e dokumentacionit në Departamentin e Rezervave Shtetërore dhe kanë intervistuar zyrtarët përgjegjës për kontratën e grurit dhe vajit.
Me vendim të Qeverisë së Kosovës ishin ndarë 10 milionë euro për blerjen e mallrave për rezervën shtetërore, mirëpo në vendimin që e kishte nënshkruar kryeministri, Albin Kurti, ishin përjashtuar procedurat e prokurimit, përkundër që ligji nuk e parasheh një gjë të tillë.
Neni 19 i Ligjit Nr. 03/L-244 për Rezervat Shtetërore të Mallrave përcakton se rezervat duhet t’iu nënshtrohen procedurave të prokurimit.
“Procedurat e furnizimit me mallra Departamenti i rezervave shtetërore të mallrave përmes procedurave të prokurimit publik bëjnë furnizimin me mallra të cilat janë paraparë me programin një (1) vjeçar”.
Ndërsa sekret është vetëm vendndodhja, që e sqaron Neni 9.
“Vendndodhja e rezervave shtetërore Plani Strategjik dhe programi vjetor si dhe vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohen sekret shtetëror”.
Prokurori Gashi ka ngritur aktakuza për profile të larta dhe për dyshime për krim të organizuar e korrupsion, por edhe për kryeministrin e tanishëm, Albin Kurti, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, derisa po tentohej të votohej demarkacioni me Malin e Zi.
Në seancën gjyqësore, Kurti kishte refuzuar t’i përgjigjet në pyetje prokurorit Gashi. Nga aktakuza e prokurorit Gashi, kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, ishte dënuar 1 vit e 3 muaj me burg me arsyetimin e përdorimit të armës dhe 3 muaj për pengim të personit zyrtar.
Ky dënim ia pamundësoi Albin Kurtit edhe të jetë bartës i listës së Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit nacionale, ku listës i printe Vjosa Osmani.