Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me rastin në lagjen “Arbëria”, ku si pasojë e rënies së çatisë së Komunës së Prishtinës është lënduar një vajzë.
Lajmin e ka konfirmuar Laureta Ulaj, zëdhënëse e kësaj Prokurorie, e cila tha se rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes e bashkë me njësitë relevante dhe me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’. Prokuroria në koordinim me policinë kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast, nga i cili sipas informatave që kemi deri më tani ka marrë lëndime trupore një person (femër)”, ka njoftuar Ulaj.
Ndryshe, Policia dhe Emergjenca kanë konfirmuar se një vajzë ka pësuar lëndime dhe po vazhdon të trajtohet në QKUK.
Në anën tjetër, Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, tha para medieve se në momentin e rrëzimit të çatisë, nuk kanë qenë duke u zhvilluar punime në objekt.
Ai tha se hetimet janë duke u zhvilluar, por theksoi se deri te rënia e çatisë dyshohet se erdhi si pasojë e erërave të forta.
“Hetimet janë në fazën preliminare, nuk mund të them asgjë, nuk mund të paragjykoj. Policia është duke i kryer hetimet edhe inspektorët e emergjencave janë duke e bërë punën e vet, Forenzika është këtu dhe dalin me raport të detajuar”, tha Fushtica.
Ai ka shprehur keqardhje për rastin, ndërsa bëri të ditur se pas përfundimit të hetimeve, do të dalin me vlerësim./BetimipërDrejtësi/