Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për dhunën e përdorur sot në Kuvendin e Kosovës, ku u përleshën fizikisht deputetët e PDK’së me Ministrat e Qeverisë Kurti.
Prokurorja e rastit, Nebahate Salihu, ka thënë se deri tash janë dëgjuar zëvendësministri Besnik Bislimi dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, por që s’ka treguar se në çfarë cilësie janë intervistuar.
“Po qata thash, i kemi dëgju, Besnik Bislimin dhe Hekuranin”- tha prokurorja Salihu për Kallxo.com.
Ajo ka deklaruar se ftesë për t’u paraqitur dhe për të dhënë intervistë para saj u ka bërë edhe deputetëve nga Partia Demokratike e Kosovës, Mërgim Lushtakut dhe Hajdar Beqës, të cilët tha se do të dëgjohen ditëve në vijim.
“I kemi thirrë katër persona. Po de, po tash aty i kemi dëgju. Po qata thash, e kemi dëgju, Besnik Bislimin dhe Hekuranin”, citohet të ketë thënë Salihu.
Ndryshe, një përleshje mes deputetëve ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës përderisa kryeministri Kurti kishte fjalën.
Në një moment kryeministri Kurti, gjatë fjalimit të tij në Kuvend, është gjuajtur me ujë nga deputeti i PDK’së, Mergim Lushtaku, dhe aty filluan të grumbulloheshin deputetët e ministrat e Kurtit, paçka pasoi edhe përleshja me tyre.
Siç shihet në pamje, përplasja ka nisur në kohën kur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, është afruar ta lagë me ujë kryeministrin Kurtin dhe zëvendeskryeministrin Besnik Bislimi, pasi ky i fundit e largoi dhe shqeu një pankartë që opozita e kishte vendosur tek foltorja e Kuvendit.
Në momentin kur u lagë me ujë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka goditur deputetin e PDK’së me shishe në fytyrë. Në përleshje fizike u përfshi menjëherë edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe deputetë e ministra tjerë të Qeverisë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca urdhëroi Policinë që të ndërhyjë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tashmë i ka iniciuar hetimet pas incidentit të sotëm që ndodhi në Kuvendin e Kosovës.
Përmes një komunikate ku thuhet se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, mes tyre edhe marrja e deklaratave nga palët e përfshira në këtë rast.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale ‘Sulmi’, sipas KPRK-së, lidhur me incidentin i cili ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.