Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Afrim Shefkiu, në cilësinë e të dëmtuarit tha se i akuzuari Milaim Zeka e kishte kërcënuar për shkak se ai i kishte ngritur aktakuzë për tri vepra penale.
“Po sigurisht që po, ky kërcënim është si rezultat i ngritjes së aktakuzës për shkak të veprave penale të cilat i ceka më parë”, tha i dëmtuari Shefkiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Zeka po akuzohet se në vitin 2018 në emisionin televiziv “DPT te Fidani” në televizionin T7, e ka kanosur prokurorin Shefkiu me fjalët “unë do ta ndjek këtë prokurorin tem, me gjyqe, me kanun dhe privatisht”, për shkak se ky i fundit kishte ngritur aktakuzë kundër tij për rastin e mashtrimit me viza.
Paraprakisht, prokurori Shefkiu tha se të akuzuarin Zeka e njeh ngase ai kishte qenë subjekt i një hetimit në Prokurori Speciale, për shkak të veprave penale “Shmangie nga tatimi”, “Mashtrimi” dhe “Shpëlarje të parave”, e që për këto vepra i ishte ngritur aktakuzë Zekës.
Shefkiu deklaroi se e kishte dëgjuar intervistën e dhënë nga i akuzuari Zeka në T7 dhe se më pas ishte ndjerë i kanosur, i shqetësuar dhe i rrezikuar.
Ndër të tjera, tha se fjalët e të akuzuarit Zeka “do ta ndjek me gjyq”, nuk paraqisnin veprime inkriminuese dhe se ai nuk e kishte përmendur atë me emër në emision, por që iu ishte referuar me “prokurorin tem”.
Shefkiu tha se ai ishte ndjerë i shqetësuar si pasojë e fjalëve të thëna nga Milaim Zeka në emision, ku përmendet kanuni.
“Kjo ka qenë si pasojë e fjalëve: prokurorin tem do ta ndjek me kanun dhe privatisht”, tha Shefkiu, duke shtuar se fjalët “do ta ndjek e kanun”, i kishte kuptuar si hakmarrje.
“Me kanun ekziston hakmarrje, unë e kam kuptu si hakmarrje… me gjyq do të ishte normale edhe ajo paraqet kanosje sepse ndjekja privatisht paraqet kanosje”, tha Shefkiu.
Paraprakisht, në këtë seancë u lexua aktakuza nga prokurori i rastit Blerim Igrishta, ku më pas i akuzuari Zeka u deklarua i pafajshëm. Edhe në seancën e mbajtur më 14 tetor 2022 dhe atë më 10 maj 2024, Zeka ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.
Më pas, prokurori Igrishta në fjalën hyrëse tha se Prokurori i Shtetit konsideron që gjykatës i janë ofruar prova të mjaftueshme që vërtetojnë tani i akuzuari Zeka është personi që ka kryer veprën penale siç është përshkruar me dispozitiv të aktakuzës dhe se kjo do të vërtetohet pas administrimit të provave.
Me fjalën hyrëse të prokurorit Igrishta, u pajtua edhe i dëmtuari Shefkiu.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Zeka, avokati Petrit Dushi tha se pas analizimit të aktit akuzues do të vërtetohet se fjalët e thëna nga i mbrojturi i tij, nuk përmbajnë asnjë veprim inkriminues.
Me kërkesë të prokurorit Igrishta, pasi që kishte një rast të paraburgimit, seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar në shtator të këtij viti.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 23 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Milaim Zekës me arsyetimin se më 24 shtator 2018, në emisionin “DPT të Fidani” në televizionin T7, i njëjti e ka kanosur prokurorin e Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiun për shkak të detyrës zyrtare, i cili ndaj të pandehurit Zeka kishte ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe më 2 tetor 2018 ishte caktuar të mbahet seanca fillestare.
Sipas aktakuzës, Zeka e kishte kanosur prokurorin Shefkiu me fjalët “unë do ta ndjek këtë prokurorin tem, me gjyqe, me kanun dhe privatisht”, me ç’rast tek i dëmtuari Shefkiu ka shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë.
Me këtë, Zeka po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 185, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Kujtojmë se shkalla e parë më 26 prill 2022, Zekën dhe dy të akuzuarit tjerë i ka liruar nga akuza për mashtrim me viza. Kurse, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Milaim Zekës dhe Ilri Krasniqi sa i përket veprës penale shmangie nga tatimi, kurse pjesën tjetër të aktgjykimit e ka vërtetuar.