Qeveria e Kosovës do të miratojë Projektligjin për skemat pensionale brenda muajit qershor, bazuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për njohjen e kontributit të punëtorëve të larguar nga puna në vitet 1990, tha ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekruan Murati, në mbledhjen e Komisionit parlamentar për buxhet, punë dhe transfere të mërkurën.
Ministri Murati para anëtarëve të komisionit tha se ligji i ri do të hyjë në fuqi para datës 15 korrik, afat ky i vendosur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, ai tha se i njëjti pritet të ketë implikime të larta financiare për buxhetin e shtetit, andaj do të shikohet se a është e nevojshme rishikimi i buxhetit.
Mirëpo, deputeti opozitar i AAK-së, Pal Lekaj kritikoi ministrin se ka vonuar miratimin e këtij projektligji.
Në anën tjetër, në mbledhjen e sotme Komisioni diskutoi për shpenzimet e Kuvendit për tre muajt e parë të vitit 2023.
Aty, zëvendësuesi i sekretarit të Kuvendit, Arben Loshi, tha se përgjatë këtyre muajve legjislativi ka shpenzuar 1 milion e 698 mijë euro, ku shumica prej tyre janë në paga dhe shtesa.
Po ashtu, nga administrata e Kuvendit, u bë e ditur se për dallim nga vitet e kaluara, gjatë kësaj periudhe ka shpenzim më të vogël në paga dhe shtesa, kurse janë rritur më shumë shpenzimet e deputetëve për udhëtime jashtë vendit.
Ndërkaq, në mbledhjen e sotme, Komisioni miratoi edhe raportet të Komisioneve kryesore për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.
Gjithashtu, komisioni diskutoi për Projektligjin për lotarinë, ku u vendos nga deputetët iniciues që i njëjti të tërhiqet./KosovaPress