“Problemi është cilësia e ushqimit në FSK, jo furnizimi”

Avokati Shkelzen Sopjani ka theksuar se problemi kryesor në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk qëndron tek furnizimi me ushqim, por tek cilësia e tij, e cila nuk i përmbush nevojat e ushtarëve për rutinën e tyre të përditshme ushtarake.

Në TV Dukagjini, ish-inspektori i AKI-së u shpreh se ushqimi që u shërbehet ushtarëve nuk është i përshtatshëm për një regjim ushtarak dhe se kjo çështje është adresuar në mënyrë të gabuar.

“Nuk ka telashe me mungesë ushqimi, por me cilësinë e ushqimit që u shërbehet ushtarëve. Kemi parë që po servohen sallama dhe bukë, por ky nuk është ushqimi i duhur për ushtarët,” theksoi Sopjani, duke shtuar se kjo situatë mund të ndikojë negativisht në performancën dhe mirëqenien e trupave.

Ai gjithashtu kritikoi Qeverinë e Albin Kurtit, duke pohuar se fokusi i saj është më shumë te kompanitë dhe individët e përfshirë në këtë çështje, sesa në zgjidhjen e vetë problemit të cilësisë së ushqimit. Sipas Sopjanit, kjo situatë ka zbehur sukseset që Qeveria ka arritur me FSK-në, si rritja e buxhetit dhe shtimi i personelit ushtarak.

Sopjani vuri në dukje se problemi ka filluar nga një menaxhim i gabuar i tenderit për furnizimin me ushqime dhe se kjo çështje duhet të hetohet.

Ai sugjeroi që zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Sekretari i Ministrisë të merren me adresimin e këtij problemi, në vend që të fajësojnë qeveritë e mëparshme.

Në përfundim, ai theksoi se kjo situatë mund të errësojë imazhin e FSK-së dhe të devijojë vëmendjen nga përparësitë dhe arritjet e tjera të rëndësishme që ka bërë Kosova në fushën e mbrojtjes.