Shantazhet që bëhen përmes rrjeteve sociale janë raste të shpeshta në vendin tonë. Zakonisht viktima janë vajzat e reja të cilat në këmbim të mospublikimit të pamjeve që do cenonin integritetin dhe privatësinë e tyre, detyrohen të kryejnë favore të ndryshme ndaj të dyshuarve.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar mbrëmë pas mesnate edhe një vajzë e mitur në Vushtrri, e cila ka bërë me dije se ka rënë viktimë e shpërndarjes së paautorizuar të fotografive personale.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një person i panjohur e ka kërcënuar përmes mesazheve në TikTok e Instagram që ta mbyll llogarinë në Instagram, gjë e cila ka shkaktuar shqetësim tek e mitura.
Kjo e fundit ka deklaruar se pas një kohe ka vërejtur se fotografitë e saj personale janë shpërndarë ne rrjete sociale.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Ngacmim’.