Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po diskutohet për raportin për Kosovën, ka theksuar se terroristët e sulmit në Banjskë u ndihmuan nga Serbia, dhe se Kosova vazhdon e përkushtuar për demokraci.
Sipas Osmanit, raste si ai i 24 shtatorit dëshmojnë që vendosmëria e Serbisë për të përsëritur librin e lojërave të Millosheviçit dhe Putinit,” është në kulmin e saj”.
“Pas 24 shtatorit gjithçka ka ndryshuar dhe shumë gjëra mbeten konstante në të njëjtën kohë. Nga njëra anë, përkushtimi i Kosovës për të mbrojtur sovranitetin tonë, për të promovuar dhe avancuar sundimin e ligjit dhe demokracinë, si dhe për të nxitur marrëdhënie pozitive fqinjësore, mbetet i palëkundur. Nga ana tjetër, vendosmëria e Serbisë për të destabilizuar rajonin, për të pushtuar tokën dhe për të përsëritur librin e lojërave të Millosheviçit dhe Putinit, është në kulmin e saj”.
“Këto grupe terroriste dhe forca paraushtarake janë financuar, trajnuar, armatosur dhe kanë marrë mbështetje politike dhe strehim nga një burim: Republika e Serbisë”.
Mirëpo, shefja e shtetit deklaroi se Kosova do mbetet e lirë dhe e pavarur.
“Kosova, një republikë e lirë sovrane e pavarur dhe një republikë e lulëzuar, dhe kështu do të jetë për aq kohë sa toka të rrotullohet rreth diellit”.
“Ne jemi ngritur nga zeroja për të ndërtuar jetën tonë, për ta ndërtuar një të ardhme ku të gjithë njerëzit, pavarësisht etninë e tyre, mund të jetojnë pa frikë, pa diskriminim”.
Ajo ka përkujtuar edhe heroin Afrim Bunjaku, që u vra gjatë sulmit terrorist. Osmani tha se Bunjaku na kujton se sa e çmueshme është liria.
“Heronjtë si Afrim Bunjaku na kujtojnë çdo ditë se sa e çmuar është liria dhe sa vigjilentë duhet të jemi për ta mbrojtur atë. U preftë në paqe dhe kujtimi i tij të shërbejë si një kujtesë për të gjithë ne, për nevojën për t’iu kundërvënë forcave autoritare dhe keqdashëse, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në mbarë botën”, deklaroi Osmani./Reporteri