Në vitin 2024, buxheti i shtetit të Kosovës do të jetë 3.3 miliardë euro. E kemi një rritje të vogël për dallim nga buxheti i këtij viti. Zyrtarët publikë – punonjësit e shtetit – do të përfitojnë një rritje të vogël. Por, sa do të jetë kjo?
Kryeministri Kurti u lavdërua edhe për zhvillim ekonomik në mbledhjen ku shpalosi buxhetin. Si zakonisht. Ndërkaq ndaj tij po protesojnë policë e minatorë ndërsa pakënaqësi po shprehin gati të gjithë të tjerët.
Ai nuk e përmendi në fjalimin e tij se nga viti i ardhshëm do të kishte edhe vetë një pagë më të lartë. Dhe atë, shkaku i koeficientit, një pagë goxha më të lartë.
Nga 105 euro, koeficienti do të rritet në 110 euro. Këtë rritje do ta përjetojnë më së shumti ata që kanë paga më të larta. E pra, vetë kryeministri, presidentja, kryekuvendari etj.
Kryeministri Kurti me koeficientin 17 dhe vlerën prej 105, paguhej për një muaj nga 1785 euro. Prej 1 janarit 2024, me koeficientin 110, do të paguhet 1870 euro. Pra, 85 euro më shumë. E njëjta do të ndodh edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën. Edhe ai do të marrë nga 1870 euro në muaj.
Pagën më të lartë do ta ketë presidentja e Kosovës. Aktualisht, ajo i merrte nga 1890 euro, por me koeficientin 110, presidentja do t’i marrë nga 1980 euro në muaj. Saktë 90 euro më shumë se që i merrte.
Duhet theksuar që këto shifra që po përmendim janë thjesht paga bazë. Aty nuk llogariten shtesat dhe kompensimet tjera. Nuk llogaritet as karriga e lëkurës ku ata ulen. Nuk llogariten as pajisjet – siç jua llogariti kryeministri njësisë speciale – si xhipat e zi, etj etj.
Por, kësi rritjesh nuk do të marrin edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Polici i Kosovës – një i thjeshtë – aktualisht merr një pagë prej 525 eurove. Me koeficientin e ri ai do t’i marrë 550. Pra, 25 euro më shumë. Shikojeni mirë: 25 euro i kemi rritje për policin, 85 për kryeministrin, 90 për presidenten.
Një kadet policor që paguhet nga 210 euro, me koefiencin e ri merreni me mend, do t’i marrë 220. Pra, 10 euro më shumë. Veç 10.
Këto janë vetëm disa nga krahasimet. Por, besojmë se jeni duke e kuptuar idenë. Ata që kanë paga më të larta – me këtë koeficient e çdo koeficient tjetër – do të marrin rritje page shumë më të mirë.
Është e vërtetë që vlera e koeficientit rritet për të gjithë njësoj, pra 105, 110, 120 etj – por kategorizimi është i tillë që mundëson që dallimi në paga të bëhet tepër i madh.
Ndërkohë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), paga mesatare brenda dhjetë viteve në Kosovë është rritur për veç 138 euro./Nacionale