Premtuan shërim në Turqi, i morën viktimës 130 mijë euro, arrestohen dy persona

Një skemë e rëndë mashtrimi, e ndërtuar mbi shpresën për jetë, është zbardhur nga hetuesit e krimeve të rënda, ku dy persona dyshohen se kanë përfituar shuma marramendëse parash duke shfrytëzuar gjendjen kritike shëndetësore të një viktime.

Sinjali mëson se Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë, ka realizuar dje, më 20 shkurt 2026, arrestimin e: V.H, rreth 34-vjeçar dhe A.K, rreth 54-vjeçar.

Të dyshuarit dyshohet se, përmes premtimeve të rreme për trajtim mjekësor jashtë vendit, konkretisht në Turqi, e kanë bindur viktimën se do t’ia “rregullojnë dokumentacionin” dhe kontaktet me spitalin për shërimin e sëmundjes së rëndë që kishte (rast i ndodhur më 2023).

Burime të sigurta bëjnë të ditur se, duke e shfrytëzuar gjendjen e rënduar shëndetësore dhe dëshpërimin e viktimës, ata kanë arritur t’i marrin asaj plot 130 mijë euro.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Pejë është bastisur një lokacion i të dyshuarit Hajrullahu, ku janë sekuestruar prova që dyshohet se janë përdorur për mashtrim:

një iPhone 17 Pro Max, kartelë e një spitali amerikan, kartelë bankare UPAYCard, kartelë e spitalit ACIBADEM.

Ndërsa te Kryeziu është konfiskuar një telefon Samsung.

Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Valmir Hajrullahu është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa Avdyl Kryeziu është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti po hetohet si “Mashtrim” sipas Kodit Penal, ndërsa Sinjali do të raportojë për çdo zhvillim të ri.