Policia qëllon me armë kosovarin që dyshohet se theri mësuesen në Gjermani

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një shkollë profesionale në qytetin Essen të Gjermanisë, ku një mësuese është sulmuar me thikë.

Policia njoftoi se autori i dyshuar fillimisht ishte në arrati, por më vonë u gjet dhe u identifikua pa dyshim.

Gjatë arrestimit, policia përdori armë zjarri, dhe personi i dyshuar mbeti i plagosur. Ai ndodhet aktualisht nën kujdes mjekësor.

Sipas informacioneve nga burime të ndryshme mediatike, personi i dyshuar është një nxënës i shkollës ku ndodhi sulmi. Disa media raportojnë se ai është 17 vjeç, ndërsa të tjera e përshkruajnë si 18-vjeçar. Autoritetet ende nuk kanë dhënë një konfirmim zyrtar për moshën apo identitetin e tij.

Mësohet se nxënësi e ka sulmuar mësuesen në mënyrë të qëllimshme dhe se ngjarja ndodhi rreth orës 09:30 të mëngjesit. Pas sulmit, shkolla u rrethua nga forca të shumta policie, përfshirë edhe një helikopter dhe njësi speciale.

Policia ende nuk ka dhënë detaje për motivin e sulmit, dhe hetimet janë në vazhdim. Ndërkohë, mësuesja e plagosur është jashtë rrezikut për jetën, edhe pse ka marrë një plagë të rëndë me thikë në zonën e gjoksit dhe barkut.