Policia: Njëri segment i magjistrales Prishtinë – Ferizaj, i pakalueshëm – shkak, shiu

Policia e Kosovës ka njoftuar, se si pasojë e të reshurave të shumta të shiut dhe grumbullimit të ujit, rruga magjistrale Ferizaj-Prishtinë, nga fshati Muhovc (afër pikës së karburantit “Euromiti”), e deri në afërsi të fshatit Babush të Ferizajt, drejtimi i Prishtinës është vështirësuar për qarkullim të automjeteve, ndërsa në disa vende është bërë e pakalueshme.

Policia përmes këtij njoftimi ka lutur qytetarët, shoferët e automjeteve që të përdorin rrugët alternative, autostradën “Arbën Xhaferi”, apo rrugët tjera, përmes qytetit të Lipjanit dhe Shtimës, në mënyrë që t’i shmangen ndonjë bllokimi të tyre, deri në lirimin e plotë të rrugës.

Ndryshe, policia rajonale e Ferizajt është në të dy anët e rrugës magjistrale Ferizaj-Prishtinë dhe po orienton komunikacionin.

“Për gjendjen e krijuar në këtë relacion janë njoftuar dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes kompania për mirëmbajtjen e rrugëve dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës të komunës së Ferizajt, ndërsa është njoftuar edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, policia thotë se deri në lirimin e  rrugës për qarkullim të automjeteve do të njoftohen qytetarët me kohë.

“Ndërsa, për ç’do rast lusim qytetarët të njoftoni policinë rajonale të Ferizajt në numrat kujdestarë  : 192; 0290/326-250 & 0290/322-406”, përfundon njoftimi.