Ende nuk është caktuar ndonjë datë për takimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, me Sindikatën e Policisë së Kosovës, për të diskutuar dhe gjetur ndonjë zgjidhje rreth kërkesave të policëve për pagat dhe shtesat e rrezikshmërisë.
Kështu tha për Klankosova.tv, kryetari i Sindikatës së Policisë Imer Zeqiri.
Zeqiri tha se pret reflektim pozitiv në kërkesat e parashtruara.
“Por, nuk mund të paragjykojmë se a do të ketë rezultat”, tha ai.
Kryesindikalisti i policisë shtoi se pas takimit do të shikohen hapat e tjerë që do të ndërmerren.
“Nëse nuk ka rezultat do të veprohet sipas kërkesave dhe vullnetit të pjesëtarëve të policisë”, tha i numri një i SPK-së.
Edhe zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu, konfirmoi të martën se takim mes palëve do të ketë gjatë kësaj jave dhe se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka shprehur vullnet për takim.
“Takimi është paraparë për këtë javë dhe këtë javë do të mbahet. Kryeministri tashmë ka konfirmuar vullnetin dhe gatishmërinë e tij. Tani është vetëm çështje e agjendës, për çka do të njoftoheni me kohë”, tha Kryeziu për Klankosova.tv
Para dy javësh, njësitet elitare të policisë së Kosovës, kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës duke shprehur pakënaqësi rreth shtesave të rrezikshmërisë.
Ata bën thirrje që kërkesat e tyre të plotësohen.
Lidhur me pagat e shtesat, pakënaqësi ka pasur edhe tek sektorët e tjerë të policisë.
Kërkesat e Sindikatës së Policisë drejtuar Qeverisë janë:
1. Ligji i pagave;
2. Shtesa e rrezikshmërisë në punë;
3. Shtesa për punë të veçantë;
4. Klasifikimi në koeficient për stafin civil;
5. Shujta mujore;
6. Shpërblimi pë fund vit për performancë të mirë;
7. Tre paga përcjellëse për të pensionuarit;
8. Zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para;
9. Sigurimi shëndetësorë dhe jetësor;
10. Ligji për pensionim në Policinë e Kosovës.