Deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, deklaron se nuk do të ketë më hapësirë për kriminelë apo elemente që cenojnë sigurinë e vendit, pas aksionit të policisë ku u gjetën armë dhe pajisje të tjera në një bodrum në qendër të Mitrovicës së Veriut.
“Sot në qendër të Mitrovicës së Veriut, në bodrumin e një ndërtese kolektive, janë gjetur dy armë, municion i llojeve të ndryshme, karikatorë, gazmaskë e pranga. Asnjë pjesë e territorit të Republikës sonë nuk është më strehë as për kriminelë, as për armatim apo elemente të tjera që cënojnë sigurinë e vendit tonë. Mbetemi të përkushtuar ndaj rendit dhe ligjit, sigurisë dhe stabilitetit për qytetarët tanë dhe për Republikën tonë,” ka shkruar Sveçla.
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë bastisjes janë konfiskuar një pushkë automatike, një pushkë gjahu, 50 fishekë, një kondak pushke, një palë pranga, një mbajtës pushke, një maskë kundër helmeve me çantën e saj, një këllëf arme dhe pesë karikatorë të zbrazët.
Armët dhe pajisjet janë gjetur në një bodrum afër sheshit “Car Lazar” në Mitrovicën e Veriut.