Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të madhe armatimi në veriun e Kosovës. Aksioni u krye në Zveçan, ku u bastis një shtëpi, që dyshohet se përdorej si “bazë për armatimin e veriut të Kosovës”, ku u gjetën armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksplozivë. Lidhur me këtë aksion, Policia ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme.
Konferenca do të mbahet nga ora 15:30, ka njoftuar Policia.
“Ju ftojmë të merrni pjesë në konferencën e jashtëzakonshme të organizuar nga Policia e Kosovës, e cila i dedikohet rastit të gjetjes dhe konfiskimit të një sasie të konsiderueshme të armëve, municionit dhe mjeteve shpërthyese. Në konferencën e cila do të mbahet në DRP-Mitrovicë Veri, do të marrin pjesë përfaqësues nga Drejtoria Rajonale Mitrovicë Veri.”
Gjatë këtij aksioni nuk është arrestuar askush, por ka të dyshuar për këtë rast, kanë njoftuar nga Policia.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që autoritetet e rendit kryejnë aksione kundër kontrabandës në veri. Rasti i fundit ishte në gusht, kur Policia e Kosovës kishte konfiskuar mbi 1.200 fishekë në fshatin Rudine të Zveçanit.
Përveç aksioneve kundër mallrave kontrabandë, autoritetet në të kaluarën kanë kryer aksione në veri edhe kundër kriptovalutave, mihja e të cilave është ilegale në Kosovë.
Situata në veri të Kosovës në fund të majit u tensionua, pasi banorët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë.