Për shkak të përdorimit të madh të armëve të zjarrit në ahengje familjare, Policia do të bëjë kontrollimin e kolonave të dasmave.
Dhjetëra vetura të cilat sipas traditave nisen për marrjen e nuses, do të kenë punë me Policinë e Kosovës.
Të paktën, ato që kalojnë nëpër rrugët e Prishtinës.
Krejt kjo për të identifikuar përdoruesit e armëve.
“Policia e Rajonit të Prishtinës, konform detyrimit ligjor që ka, obligohet që në rastet e tilla të filloj kërkimin për armët e përdorura në rast, të ndaloj kolonat e dasmorëve për t’i kontrolluar dhe ndaj personave të dyshuar në situata të caktuara të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet për raste të tilla”.
Kjo masë vjen për shkak të rritjes së rasteve të përdorimit të armëve në ahengje familjare.
Statistikat bazuar në raportet ditore të Policisë së Kosovës, tregojnë se vetëm nga 1 gushti janë raportuar 34 raste të gjuajtjes me armë zjarri në festat e kosovarëve.