Policia del me shifra, demanton Përparim Ramën për numrin e armëve në vetura

Në Kosovë kohëve të fundit janë shtuar vrasjet në hapësirat publike, kjo ka bërë që të mërkurën të ketë një takim mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama me Avokatin e Popullit, Naim Qelaj.

Gjatë adresimit të përbashkët, Rama ka thënë se ka informacione nga Policia që pas orës 12 të natës, çdo e dyta ose e drita veturë në Prishtinë ka armë zjarri ose të ftohta.

“Kam informata, që i mora prej drejtorit të policisë, ku pas orës 12 të natës, çdo e dyta ose e treta veturë që sillet në Prishtinë është e armatosur, domethënë ka ose armë zjarri ose thikë. Është alarmante, pse këta njerëz mbajnë armë, për çka, çka dojnë me bo ata, me çka po merren”, ka thënë Rama.

Por, Policia e Kosovës ka dalë me të dhëna të përgjithshme të konfiskimit të armëve gjatë vitit 2022 deri në korrik të vitit 2023, duke përfshirë edhe armët në vetura.

”Bazuar në të dhënat e institucioneve përkatëse në vendin tonë janë të regjistruara 435 mijë vetura, vetëm në Prishtinë 86 mijë. Këtë vit (1 janar-8 gusht), kanë hyrë në vendin tonë (janë pajisur me Policia të sigurimit) mbi 204 mijë vetura”.

“Policia, vetëm gjatë realizimit të Urdhrit Operativ (UO) ‘Sezoni veror 2022’ ka ndaluar e kontrolluar mbi 329 mijë vetura, kurse gjatë realizimit të Urdhrit Operativ ‘Sezoni dimëror 2022-2023’ ka ndaluar dhe kontrolluar mbi 160 mijë vetura. Numri i armëve të konfiskuara gjatë vitit 2022 është 1473 armë, kurse në periudhën janar-korrik 2023 janë konfiskuar 636 armë, këto armë nuk janë gjetur vetëm në vetura, por është numri i përgjithshëm i armëve të konfiskuara”, thuhet në njoftimin e Policisë, trasnmeton Gazeta Express.

Për shkak të situatës ditëve të fundit, Policia të dielën ka njoftuar për një plan operativ “Goditja”, ku do të shtohet patrullimi i policisë në hapësira publike.

”Mbrëmë, më 08.08.2023, gjatë realizimit të UO ‘Goditja’ janë kontrolluar 2049 vetura (në rajon të Prishtinës 420), në këto vetura janë gjetur e konfiskuara 6 armë (3 në rajonin e Prishtinës). Referuar, të dhënave të veturave të ndaluara e kontrolluara nga policia, vetëm gjatë realizimit të urdhrit operativ ‘Sezoni veror dhe ai dimëror’ dhe gjatë realizimit të aktiviteteve mbrëmë, përqindja e armëve të gjetura, në krahasim me veturat e kontrolluara, është një armë në disa qindra vetura të kontrolluara”, thuhet ndër tjerash në raportin e Policisë.