Polici kosovar shpëton një 21-vjeçare nga vetëvrasja, hyri me forcë në ballkon

Sot, rreth orës 04:30, policia në Ferizaj ka pranuar një informacion nga qytetarët se në një kompleks banesor, në katin e katërt, një vajzë 21-vjeçare po tentonte të hidhej nga ballkoni.

Menjëherë pas pranimit të informatës, patrullat policore kanë dalë në vendngjarje, ku fillimisht kanë kontaktuar me dëshmitarët dhe më pas kanë vërejtur vajzën në anën e jashtme të ballkonit.

Policia ka tentuar ta qetësojë përmes komunikimit, ndërkohë që njëri prej policëve është ngjitur në banesën ku ndodhej ajo.

Për shkak të urgjencës dhe rrezikut të lartë, polici është detyruar të hapë derën me forcë dhe ka ndërhyrë me shpejtësi në ballkon, duke arritur ta kapë dhe ta tërheqë viktimën brenda rrethojave, me ndihmën edhe të një kolegu tjetër.