Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg.
Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedhat që raportohen më së shumti si të falsifikuara janë ato prej 50 dhe 100 euro.
Sinjali mëson se vetëm në ditët e fundit janë denoncuar plot raste të tilla që kanë ndodhur në bankën ‘ProCredit, ‘Bankën për Biznes’ e në ‘Raiffeisen Bank’
Sipas informacioneve që ka Sinjali, në njërën nga bankomatet e Raiffeisen në Mitrovicë dyshohet se një klient ka deponuar një kartëmonedhë 50-she që dyshohet të jetë e falsifikuar. Njëjtë ka ndodhur edhe në BPB në Drenas, ku po ashtu dikush ka deponuar 50 euro false.
Ndërkaq në ProCredit, pika që ndodhet në Gjilan, dyshohet se së fundmi janë deponuar disa herë 50-she të falsifikuara, e po ashtu rreth 400 euro, në monedha metalike prej 2 eurosh.
Pasi Policia është njoftuar për këto raste, paratë janë sekuestruar nga zyrtarët policorë në stacionet ku janë raportuar dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, hetimet kanë filluar veç e veç për veprën penale “Falsifikim i parasë”.
Kujtojmë se kualiteti i parave false është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.
Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.