Lyudmila Navalnaya, nëna e liderit të ndjerë opozitar rus, Aleksei Navalny, tha më 22 shkurt se një ditë më herët, hetuesit e lejuan që ta shohë trupin e të birit.
Përmes një video-deklarate, Navalnaya tha se ajo ka nënshkruar certifikatën e vdekjes, por autoritetet ruse po vazhdojnë të mbajnë trupin e djalit të saj.
“Mbrëmë, në mënyrë sekrete më dërguan në morg, ku më treguan Aleksein. Hetuesit pretendojnë se e dinë shkakun e vdekjes, të gjitha dokumentet mjekësore dhe ligjore që unë pash janë të gatshme dhe unë nënshkrova certifikatën e vdekjes”, tha ajo.
Navalnaya shtoi se autoritetet ruse po vazhdojnë të mbajnë trupin e djalit të saj në mënyrë të jashtëligjshme. Sipas saj, autoritetet duan që varrimi i djalit të saj të jetë “sekret, pa një ceremoni lamtumirëse”.