Studio “Mossack Fonseca”: Na kanë ndërhyrë në databaze
Gazeta gjermane ‘Süddeutsche Zeitung’ ka zbuluar dhe publikuar sot skandalin më të madh financiar të dekadave të fundit, ku përfshihen emrat e më shumë se 800 njerëzve me pushtet nga rreth 200 shtete të botës.
E cilësuar si një nga zbulimet më të mëdha në historinë e gazetarisë, afera në fjalë ka lidhje me kompaninë panameze ‘Mossack Fonseca’ dhe tregon më së miri se si i fshehin pasuritë duke shmangur shtetet dhe taksat nëpërmjet kompanive fantazmë politikanët, njerëzit e krimit, sportistët, aktorët dhe miliarderët.
‘Süddeutsche Zeitung’ ka siguruar plot 11 milionë e-mail-e të zbuluara nga arkivat e ‘Mossack Fonseca’. Nga investigimi në listën e abuzuesve dhe atyre që fshehin pasuritë rezultojnë edhe presidenti rus Vladimir Putin, kryeministri islandez Sigmundur David Gunnlaugsson, ish-shefi u UEFA-s Michel Platini apo futbollisti Lionel Mesi.
Çështjen që tani njohet si ‘Panama Papers’ përveç gazetës gjermane po e ndjek edhe prestigjozia franceze ‘Le Monde’ së bashku me Bashkësinë Ndërkombëtare të Gazetarëve Investigues (ICIJ). Ata kanë zgjedhur këtë mënyrë bashkëpunimi si në rastin e Wikiliksit, për të përpunuar morinë e madhe të dokumentave. Pikërisht për këtë në projekt janë përfshirë 106 media në mbarë botën dhe së bashku me to plot 370 gazetarë në Francë Gjermani, Indi Rusi, Japoni, ShBA, Brazil Svicër.
‘Ky nuk është vetëm zbulimi më i madh gazetaresk i shekullit, por edhe rrjedhja me e madhe e dokumentave në botën e financës’, komentonte sot gazeta franceze ‘Le Monde’.
Ky skandal botëror u zbulua nga një burim ende anonim që filloi t’i çojë dokumentet sekrete gazetës ‘Süddeutsche Zeitung’. Vetëm pasi panë masën e madhe të kësaj ‘miniere ari’, gazetarët gjermanë vendosën ta ndajnë atë me partnerët e tyre të përhershëm të cilët nuk kanë më asnjë dyshim për autenticitetin e dokumentave që përmban kjo dosje 1500 herë më e madhe sesa Wikiliksi.
Në këtë listë figurojnë emrat e 12 shefa shtetesh (6 në detyrë) e 128 personaliteteve politike të planit të parë në mbarë botën dhe 29 prej 500 njerëzve më të pasur në botë sipas klasifikimit të Forbes.
Britania ka kryeministrin e saj David Cameron, ndërsa Franca kampionin e saj Mishel Platini (siç është shpallur nga Le Monde). Të gjithë këta emra i përmbledh lista e llogarive të fshehura financiare. Janë të paktën 800 persona nga 200 vende të ndryshime, përfshirë politikanë, artistë të famshëm, sipërmarrës, etj.
Në listë është edhe familja e udhëheqësit kinez Xi Jinping dhe sigurisht presidentit të korruptuar të Azerbajxhanit, Ilham Aliev, Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko, mbreti saudit Salman bin Abdulaziz Al Saud, presidenti i Argjentinës, Mauricio Macri, kryeministri i Islandës, si dhe ai i Pakistanit Nawaz Sharif.
EMRAT E FUTBOLLIT NE PANAMA PAPERS
Shifra marramendëse të transferuara në Panama, parajsa fiskale, në emër të kujt? Politikanë, kriminel, personazhe të njohur nga bota e futbollit dhe e sportit në përgjithësi. Ky skandal i madh, afro 11 milionë dokumente, janë publikuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Investigativ.
Përveç emrave të fuqishëm si Putin apo Cameron, aty është edhe emri i pesë herë fituesit të “Topit të Art”, Lionel Messi. Ylli i Barcelonës lidhet edhe një herë me skandalin financiar, kujtojmë që pak kohë më parë ai sëbashku me të atin, Jorge Messi, u akuzuan në Spanjë për mashtrim me taksat.
Emra të tjerë të përfshirë në këtë skandal janë edhe Michel Platini, ish presidenti i Uefas, ish sulmuesi i Interit, Ivan Zamorano apo mbrojtësi argjentinas Gabriel Heinze. Në dokumente lexohet edhe emri i ish presidentit të Ferrarit, Luca di Montezemolo.
STUDIO “MOSSACK FONSECA”: NA KANË NDËRHYRË NË DATABAZE
Prokuroria e Panamasë ka nisur një hetim, pas publikimit të dokumenteve të studios legale “Mossack Fonseca”.
Ndërkohë përfaqësues të studios deklaruan se kanë patur ndërhyrje në databazë.
“Për 40 vjet, Mossack Fonseca ka operuar në mënyrë të përgjegjshme, në përputhje me ligjet e vendit ku e ushtrojmë aktivitetin. Shoqëria jonë nuk është akuzuar kurrë për lidhje me aktivitete kriminale. Nëse vërejmë aktivitete të dyshimta, apo të paqarta, ne i denoncojmë tek autoritetet. në të njëjtën mënyrë, kur autoritetet na sinjalizojnë për aktivitete të paligjshme, ne bashkëpunojmë plotësisht.”- bëri të ditur studio “Mossack Fonseca”.
Mbi të paktën 23 klientë të “Mossack Fonseca” rëndojnë akuza se kanë mbështetur regjimet diktatoriale në Korenë e Veriut, Zimbabve, Iran, Siri dhe Rusi.
Kjo firmë juridike është themeluar në vitin 1977 nga Jurgen Mossack dhe Ramon Fonseca. Ajo operon në vende të njohura me sistem të ulët taksimi përfshirë Zvicrën e Qipron.