Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në kuadër të veprimeve të saj për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara, njofton opinionin publik lidhur me Planin me veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare.
BQK në planin 10 pikësh parasheh të kontribuon veçanërisht tek qytetarët me qasje të kufizuar në financa dhe shërbime financiare dhe mundëson rritjen e qasjes në financa të sigurta përmes bankave dhe institucioneve financiare jobankare, gjithpërfshirjen financiare dhe mbrojtjen e tyre nga aktivitetet financiare të pashëndosha, si angazhime të vazhdueshme të BQK-së mbi bazën e praktikave më të mira evropiane.
1.Funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800-222-55), e-mailit për ankesa, si dhe numrit të dedikuar në ‘viber’
2.Lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, në raste specifike në komunat me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore, me mundësi të kompletimit të dokumenteve (dëshmi të adresës) edhe pas hapjes dhe aktivizimit të llogarisë.
3.Pezullimi i përkohshëm i tarifës të BQK-së e aplikueshme për hapje të degëve/zyrave, për të inkurajuar institucionet financiare jobankare (me theks për këmbimore) të licencuara për hapjen e zyrave në Komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore
4.Zgjerimi i prezencës me degë bankare jobankare për mbulimin me degë shtesë dhe rritje të ofrimit të shërbimeve financiare në komunat në veri të vendit
5.Organizimi i ofrimit të shërbimeve bankare (hapje e llogarisë) në mënyrë mobile nga bankat komerciale (remote banking) në secilën nga katër komunat veriore, në mënyrë të organizuar me qëllim të jenë sa më afër qytetarëve
6.Vendosja e disa bankomatëve (ATM) si dhe pajisjeve tjera për pagesa elektronike (POS), apo vet-shërbime financiare
7.Lehtësimi i procesit të këmbimit të dinarëve me EURO nga institucionet financiare dhe këmbimoret të licencuara
8.Vazhdimi i aktivitetit të intensifikuar promovues, me materiale të personalizuara dhe thjeshtëzuara, video mesazheve, si dhe edukimit financiar të fokusuar
9.Rritja e qasjes në financa, rritja e mëtejshme e kreditimit dhe pakove tjera financiare të fokusuara në këto zona nga institucionet financiare
10.Rishikimi i kushteve të konvertimit me trajtim preferencial gjatë pranimit të fondeve dhe tërheqjes në bankomate (ATM) me kartela të skemave ndërkombëtare të lëshuara jashtë Kosovës.
“Këto veprime ndërmerren krahas angazhimit konstruktiv, në lehtësimin e mekanizmit të transferimit të mjeteve në mënyrë sa më efikase nga Serbia në Kosovë, përmes llogarive bankare dhe modeleve tashmë të njohura, të paraqitur në letrën e propozimit të BQK-së, me gatishmërinë për të shqyrtuar çdo opsion”, thuhet në njoftim.