Plagosja e serbit në Zveçan, arrestohen katër policë

Të hënën në mbrëmje një person është person me armë zjarri në veri të Mitrovicës, ndërsa rasti saktësisht ka ndodhur në ora 23:48. Katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë arrestuar për këtë rast.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhej se njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore lidhur me hetimin dhe verifikimin e informacionit të pranuar, duke përfshirë edhe dërgimin e një njësie policore në spitalin e Mitrovicës Veriore.

“Nga aty kanë pranuar informacione se gjendet duke u trajtuar një person, i cili dyshohet se është plagosur në kraharor nga arma e zjarrit, por që deri më tani ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes së tij”, ka bërë të ditur policia.

…Andaj edhe shkrimet, apo pyetjet e adresuara Policisë së Kosovës nga disa mediume serbe, se kinse Policia e Kosovës është përfshirë, apo në formën e pyetjes se a është përfshirë në gjuajtje me armë dhe plagosje të një personi te ura e Bistricë në komunë të Leposaviqit, ju informojmë dhe njëherit ritheksojmë se Policia e Kosovës, nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar”, thuhej në njoftim.

Por, Policia e Kosovës pas hetimeve të pandërprera ka arritur të sigurojë dëshmi se një zyrtar policor se është përfshirë në gjuajtje me armë zjarri në incidentin që ka ndodhur në orët e vona të së hënës në veri të Kosovës.

“Policia e Kosovës, lidhur me rastin ndodhur në orët e vona të datës 10.04.2023 në veri të vendit, ku nga arma e zjarrit ishte plagosur një person, ka vazhduar hetimet intensive me njësitet relevante policore nga niveli rajonal dhe ai qendror, me qëllim të hetimit dhe ndriçimit sa më parë të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

“Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri”.

Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara bëhet e ditur se janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, “nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri”.

E lidhur me rastin ku mbeti i plagosur një qytetar i komunitetit serb ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai thënë se sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit.

Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J.

“Pas intervistimit nga ana e Inspektoratit Policor dhe me vendim të prokurorit, 4 zyrtarë policor janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast. Të njëjtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga PK”, ka thënë ministri.

Në fund theksoi se me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave, hetimet do të vazhdojnë intensivisht dhe gjithsecili që ka bërë shkelje do të ballafaqohet me ligjin.

E arrestimin e katër zyrtarëve policorë e ka konfirmuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Njëri nga zyrtarët policor dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”, ndërsa të katërtit po ashtu dyshohen se kanë kryer veprën penale “moslajmërim i veprës penale”.

“Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore në koordinim me prokurorinë hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes katër zyrtarë policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale “mos lajmërim i veprës penale” dhe njëri nga ta është i dyshuar për veprën penale “vrasje – në tentativë” (lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës)”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Hetuesit e IPK-së janë duke ndërmarrë edhe veprime tjera hetimore për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit. Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente”, thuhet nga Inspektorati Policor i Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë të banuara me shumicë serbe.

Ky rajon është shpesh vatër e tensioneve.

Javën e kaluar, një pjesëtari të komunitetit serb i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, i cili dyshohet se u ka vënë flakën veturave me targa RKS – Republika e Kosovës – në Zubin Potok, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të hënën se incidentet në veri të Kosovës janë të orkestruara nga “struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi”, të cilat kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe.