Sindikatat e Bashkuara të Kosovës sot kanë hyrë në grevë të përgjithshme.
Kjo për shkak se nuk kanë arritur marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, nga të cilët kanë kërkuar të realizojë kërkesat për mbështetje me 100 euro për pagat në sektorin publik deri në votimin e Ligjit të ri të Pagave.
Përpos që nuk janë ngritur pagat e tyre deri në votimin e Ligjit, grevistët sot janë njoftuar se do t’ju pezullohet paga për orët që kanë hyrë në grevë.
Kështu ka thënë për lajmi.net sot zëvendëssekretari i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, i cili ka thënë se pezullimi i pagës do të bëhet në bazë të Ligjit.
Në anën tjetër, kryetari i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka deklaruar se po kërcënohen nga Qeveria.
“Ne jemi në grevë të përgjithshme e cila ka ardhur pa dëshirën tonë. Ne nuk kemi qenë të njoftuar zyrtarisht, kemi dëgjuar nga ju, nga mediat se jemi duke u kërcënuar nga partneri jonë social, Qeveria. Kjo nuk është aspak e mirë. Të kërcënohen grevistët e qetë dhe të drejtë, nuk është e drejtë. Ne nuk kemi shkelë normën edhe parimet shtetërore demokratike juridike, kështu që ato që po dëgjojmë janë të papranueshme”, ka thënë Hykolli në një prononcim për lajmi.net.
Tutje, ai ka thënë se greva e përgjithshme ka përfshirë të gjitha institucionet përpos policisë, të cilëve nuk ju lejohet të hyjnë në grevë.
Deri më tani, Hykolli ka thënë se nuk dihet numri i saktë i pjesëmarrësve në grevë, por që do të bëhet i ditur gjatë ditës.
I pyetur nëse do të tërhiqen nga kërkesat e tyre nëse Qeveria pezullon pagat e grevistëve, Hykolli ka thënë se kjo nuk do të ndodh.
“Jo, jo, asnjë minutë”, ka thënë prerë ai.
Kujtojmë se zëvendëssekretari i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, ka deklaruar se pezullimi i pagës për grevistët do të bëhet në bazë të Ligjit për Greva, më saktësisht Neni 18.
“Në Nenin 18, paragrafi 1 për Efektet e grevës së ligjshme thuhet se ‘Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar’. Pra, kjo i bie që edhe nëse për një orë një zyrtar është në grevë, për një orë nuk ka përgjegjësi për të punuar dhe nuk paguhet”, ka thënë Spahiu për lajmi.net.
Por, njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj, ka deklaruar se Neni 18, pika 1 e Ligjit për Grevat nënkupton se pezullohen detyrimet e punëtorit për të përmbushur obligimet që dalin nga kontrata e punës.
“Neni 18 pika 1 e Ligjit për Grevat, në asnjë rrethanë nuk nënkupton se pezullohen obligimet e shtetit, apo punëdhënësit në sektorin privat të pezulloj të drejtat e punëtorit në pagë dhe beneficione tjera që rrjdhin nga kontrata e punës, gjatë kohës së grevës së ligjshme. Pezullimi i pagave nga ana e shtetit ndaj punëtorëve që hyjnë në grevë të ligjshme, është cenim i rëndë i të drejtave të punëtorëve, e paparë në një shtet demokratik, ose nga një parti politike që ka promovuar shtet social”, ka thënë Miftaraj.
Ai ka thënë se kjo është e papranueshme dhe duhet të ndërmerren masa të menjëhershme ndaj kujtdo që ka filluar një iniciativë të tillë. /Lajmi.net