Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar në Facebook për 54 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës (UP).
Kurti e ka përshkruar UP-së si institucionin shkollor më të rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës.
“Sot është ditëlindja e Universitetit të Prishtinës! Sivjet, Universiteti i Prishtinës është bërë 54 vjeçar. Ai është institucioni shkollor më i rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës, ku janë shkolluar dhe formuar elitat intelektuale, kulturore dhe politike të shoqërisë tonë, që u kanë prirë proceseve për progres shoqëror, për rezistencë dhe çlirim si dhe për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.
“Në Kosovë, universiteti u kërkua politikisht në demonstratat e vitit 1968, ku një nga parullat kryesore ishte “Dum Universitet”. Më 18 nëntor 1969, Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin mbi Themelimin e Universitetit në Prishtinë. Më 13 shkurt të vitit 1970, i zhvilloi punimet Kuvendi i Parë i Universitetit të Prishtinës, ku u ngritën strukturat drejtuese të tij: u zgjodh Pleqësia me 29 anëtarë, u zgjodh rektor Profesor Dervish Rozhaja, si dhe u zgjodhën prorektorë Minir Dushi dhe Bozhidar Jovanoviq. Dy ditë më pas, më 15 shkurt 1970, në një mbledhje solemne u themelua Universiteti i Prishtinës, duke e hapur një epokë të re për jetën universitare, shkencore dhe shoqërore në Kosovë”, ka shkruar ndër tjerash Kurti. /Gazeta Express