Sali Berisha po shkonte përditë e më shumë larg politikës së SHBA. Fitorja edhe e zgjedhjeve lokale të 20 tetorit 1996, kishte kompletuar pushtetin e plotë të tij dhe njëkohësisht dramën e tij. Ai shtoi armiqtë politikë në Shqipëri dhe humbi aleatin më të rëndësishëm në botë, SHBA.
Shkruan: Mero Baze
Presioni për mbylljen e kompanive piramidale kishte filluar. Marrëdhëniet e qeverisë me FMN ishin përkeqësuar. Ministri i tij i Financave, Ridvan Bode dhe Guverantori i Bankës, Kristaq Luniku, bënë deklarata që dëshmonin se nuk ishin aq luajalë me vendosmërinë e Sali Berishës për të mos prekur firmat piramidale.
Në këtë situatë të tensionuar, skemave të para piramidale po u merreshin këmbët. I bindur se e vetmja mënyrë për të tërhequr sërish SHBA në anën e vet ishte Kosova, Sali Berisha u investua të përfshihej në atë betejë.
Sali Berisha përdor Adem Demaçin kundër Rugovës
Sali Berisha i drejtoi sytë nga Adem Demaçi, një lider që nuk e kishte përfillur deri në ato momente. Demaçi që kishte bërë gjeste të përfshirjes në politikë duke u anëtarësuar në Partinë Parlamentare të Kosovës, u ftua në fund të nëntorit në Tiranë.
Vëmendja e shtypit ndaj kësaj situate ishte ekstreme. Si gazetar i “Zëri i Amerikës”, u përpoqa të intervistoj Adem Demaçin. Problemi ishte se nuk gjendej dot ku qëndronte. Përfaqësia e Kosovës në Tiranë nuk kishte asnjë informacion. Dinte vetëm se qe i ftuar i Sali Berishës.
Berisha donte siguri për temat e bisedës me Demaçin. Kishte sidomos kuriozitet nëse ideja për intervistë ishte e imja apo e redaksisë. Pastaj më ofroi një roje të vet, të më lidhte me rojet e Demaçit. Më në fund, më thanë të shkoja te ish-hotel “Vjosa” (Miniri), një hotel i vogël në cep të sheshit “Skënderbej”. Aty më thanë se dikush do të më japë një telefon të lidhem me Demaçin.
Qëndrova gjysmë ore, por askush nuk po vinte. Pyeta recepsionisten nëse kishte ndonjë porosi për mua. Pasi pyeti për emrin, më tha “po”. Pas pak, një djalë i gjatë nga siguria e zotit Demaçi, erdhi në holl dhe më tha se do të më jepte një telefon, ku mund ta thërrisja zotin Demaçi pas gjysmë ore.
Po më shkonte një orë të takoja dikë që ishte fshehur në mes të Tiranës. Telefoni që më dha ishte numër fiks, jo mobil. M’u duk i njohur për shkak se kishte disa shifra njësoj. Sapo djali u largua, i rashë telefonit dhe pashë vajzën e recepsionit që kapi telefonin.
E kuptova. Adem Demaçi ishte në hotel. Vesi i “ilegalit” nuk i kishte dale ende. E filluam intervistën në hollin e hotel “Vjosa”.
Gjatë intervistës për dy gjëra ishte i qartë. E para që duheshin mbështetur protestat në Serbi dhe e dyta që qeveria në Tiranë nuk kishte bërë asnjë gabim që i mbështeste ata dhe që kritikonte Prishtinën për pasivitet.
Intervista ishte siç e dëshironte Sali Berisha. Kërkonte mbledhje të parlamentit në Kosovë, dinamizim të rezistencës institucionale, mbështetje të protestave në Serbi. Diametralisht i kundërt me qëndrimet e Rugovës.
Dy prej pyetje përgjigjeve të tij shpjegonin gjithçka.
– Kohët e fundit, shtypi zyrtar i Tiranës, por edhe politika zyrtare po u bën thirrje shqiptarëve të Kosovës t’i përkrahin demonstratat e opozitës serbe. A i bashkoheni ju këtij qëndrimi?
Demaçi: Unë, siç e dini, ua kam dërguar edhe një mesazh në formë përkrahjeje këtyre demonstratave. Mesazhi ka hasur në përkrahje dhe ka bërë një jehonë të madhe, si në mes të demonstratave, ashtu edhe në mesin e inteligjencies serbe. Unë mendoj se këto demonstrata duhet t’i përkrahim, sepse demokratizimi i Serbisë është kusht që do të bënte që edhe Kosova të lirohej me një çmim më të vogël dhe me një shpejtësi më të madhe.
– A mos shikohet ndonjë ndryshim i politikës zyrtare të Tiranës ndaj diskursit të sotëm politikës në Kosovë?
Demaçi: Politika e Tiranës ka qenë në mënyrë konstante në përkrahje të lëvizjes kosovare, në përkrahje të pavarësisë kosovare dhe kjo politikë ka pasur oshilacione shumë të vogla. Mirëpo, tash së fundi, politika shqiptarë, domethënë e shtetit shqiptar është kristalizuar krejtësisht. Deklaratat e fundit të zotit Tritan Shehu dhe deklaratat e fundit të Presidentit Berisha, janë shumë të favorshme dhe janë ashtu si i duhen përkrahjes së lëvizjes shqiptarë.”
Me Sali Berishën u takua më 24 nëntor, në mesditë. Berisha vlerësoi faktin që Demaçi kishte mbetur “simbol i qëndresës sonë kombëtare”, një vlerësim ky që tejkalonte peshën e Ibrahim Rugovës në historinë e rezistencës paqësore.
Në njoftimin zyrtar të Berishës thuhet: “Ai ia konfirmoi Presidentit Berisha mendimin e tij për marrëveshjen e arsimit, se problemi i shkollave mund të zgjidhej nga vetë nxënësit shqiptarë”, gjë që nënkuptonte lëvizje protestash nga studentët dhe nxënësit në Prishtinë, nëse marrëveshja nuk zbatohej. Kjo ishte dhe motivi I protestive tue studnetueve nue Tetor 1997 në Prishtinë. Berisha po ashtu nënvizoi mbështetjen e tij për marrëveshjen e arsimit, “si provë e vullnetit të Presidentit Milošević për të respektuar atë që ka nënshkruar”.
Berisha kërkoi ndërkohë që Kosova të mbledhë Parlamentin e saj, të funksiononte normalisht “Parlamenti dhe institucionet e tjera, të cilat jo vetëm që nuk do të ndërlikonin, po përkundrazi, do t’i kontribuonin stabilitetit dhe zgjidhjes paqësore të çështjes së Kosovës, çështje kjo që përbën faktorin më të ndërlikur të krizës ballkanike”.
Mbështetja për opozitën serbe, përpjekja për të konstituuar parlamentin ende të pambledhur të Kosovës dhe formimin e institucioneve legale në Kosovë, ishin dhe tezat që ndezën betejën e tij të heshtur me Rugovën. Në fakt ishin të gjitha utopi. Ibrahim Rugova nuk ia kishte dalë dot t’i ruante deputetët nga arrestimi pa u konstituar, e jo më t’i mblidhte ata. Berisha e dinte shumë mirë këtë. Ai thjesht ishte duke i thënë Rugovës, “bëj këtë ose largohu se e bëjnë të tjerët”.
Ironia ishte se Rugova do të vinte në Tiranë një ditë pas Demaçit. Ai do të shkonte pas Shqipërisë në Norvegji, për të vazhduar në SHBA në takim me Warren Cristopher, pastaj në kthim në Francë do të merrte një medalje nga Universiteti Sorbonne, në Paris. Pas një muaji do të rikthehej përsëri në Tiranë dhe pastaj në Prishtinë.
Drama e Sali Berishës ishte shumë e madhe. Ibrahim Rugovën që e kishte konsideruar deri atëherë një krah të tij, tani e priste tri herë në vit Sekretari i Shtetit Warren Christopher, kurse Berishën prej muajsh nuk e takonte askush përveç Adem Demaçit.
Takimi i Rugovës me Sali Berishën u bë më 25 nëntor, një ditë pas Demaçit. Në deklaratën e zyrës së Berishës duket askush nuk i prek temat e nxehta. “Presidentët Berisha e Rugova theksuan se fillimi i punës së Parlamentit dhe institucioneve të tjera në Kosovë, përbëjnë faktorë të rëndësishëm stabiliteti që i kontribuojnë zgjidhjes paqësore të çështjes së Kosovës”. 000000
Kjo ka qenë padyshim fjalia më e vështirë e Berishës për ta futur në bisedë. Ibrahim Rugova e ka kaluar pa shumë emocion.
Gjatë ceremonisë së shpalljes së tij “Doktor Nderi” nga Universiteti i Sorbonne në Paris, duke folur për BBC në shqip, Rugova shpjegoi përse ai nuk përfshihej në mbështetjen e protestave në Serbi, siç kërkonte Tirana.
Sapo mbërriti në Tiranë, Berisha bëri kujdes të takohej sërish me Rugovën. Tashmë ai ishte interlekutori i vetëm i shqiptarëve me SHBA, dhe Berisha kishte nevojë të dukej i përfshirë.
Në njoftimin e zyrës së Berishës, thuhet se “presidentët falënderuan SHBA dhe i vlerësuan si shumë të rëndësishme takimet që z. Rugova zhvilloi me Sekretarin e Shtetit, Christopher, me kongresmenë e zyrtarë të tjerë të lartë të administratës amerikane dhe i konsideruan ato si konsolidim i angazhimit dhe interesimit të SHBA për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Presidentët Berisha e Rugova theksojnë se demokratizimi i Serbisë me rrugë demokratike dhe paqësore është një zhvillim i rëndësishëm pozitiv jo vetëm për Serbinë, por edhe një kontribut direkt e real për paqen e stabilitetin në rajon”.
Njoftimi i zyrës së shtypit të Berishës bënte kujdes të paraqiste në çdo rast atë “të dy presidentët”, sidomos te pika që flitej për protestat në Serbi. Por ndarazi ata kishin qëndrime publike të ndryshme. Kjo dukej qartë në një intervistë që Ibrahim Rugova dha për gazetën prestigjioze franceze “Le Figaro”.
Nata e fundit e Rugovës në Tiranë atë fund dhjetori ishte shumë e tensionuar. Vetë nuk e prisja që punët kishin shkuar aq larg.
Ndërsa shkova sërish te Vila 31, me shpresë se këtë radhë do jepte intervistë pas vizitës në SHBA, pashë që në hollin e vilës situata dukej e tensionuar. Shoqëruesi i tij Adnan Merovci, kishte lënë një oficer të gardës që nuk të lejonte të ngjiteshe lart pa njoftuar atë. Bashkim Gazidede ishte ulur në një kolltuk pak më tutje, i xhindosur. U përshëndeta pa ditur pse ishte aty.
– Ku do shkosh?
Dhe pastaj tundi kokën në drejtim të katit sipër, si për të më thënë “tek Ai?”
– Po. – i thashë. – Kam lënë një gjysmë fjale për intervistë…
Tundi kokën në mënyrë zhgënjyese. Dukej sikur ishte gati të më thoshte “pse shkon kot tek ai… ”.
Ibrahim Rugova ishte vetëm në dhomë duke parë televizor. Më bëri shenjë të ulem. I thashë se po priste poshtë Bashkim Gazidede. Ndoshta ishte për ju.
– I kam thënë Adnanit jam i zënë. Janë do punë që duhet t’i kryej me nivele të tjera.
Nga bezdia me të cilën fliste dukej se duhet të ndërroja temë, ndërsa ai po bënte sikur kërkonte shishen e whiskey.
E gjithë kjo skenë brenda në dhomën e tij dhe tensioni se ai që priste në holl edhe mund të trokiste, dukej që ishte i fortë.
Pastaj biseda shkonte në shtigje pa rëndësi reale.
E pashë që po dështoja. As bëhej fjalë të jepte intervistë.
– A po jep intervistë për “Zëri i Amerikës”? – e përsërita me siklet.
– Jo de, jo! Çfarë interviste! Mirë që u pamë! Qe, e gjeta dhe whiskey! Po e pimë një gotë…
Dhe pastaj biseda ndryshoi tërësisht. Nuk arrita të fus dot në të as Berishën, as Demaçin, as Bukoshin, as sherret Tiranë – Prishtinë.
Përpjekja e Berishës për të fshehur konfliktin me Rugovën. Si ngriti studentët ne Prishtine kunder tij.
Sali Berisha e kishte ndjerë rrezikun. Duke parë përhapjen që kishte marrë në shtypin e Kosovës konflikti mes tij dhe Rugovës, gjithë konferencën e fundvitit dy ditë para Vitit të Ri, ia kushtoi Ibrahim Rugovës. Bëri çfarë ishte e mundur të dukej se nuk kishte ndodhur asgjë mes tyre.
“Do të rikonfirmoj këtu, para jush vlerësimet për kontributin e pamohueshëm, shumë të rëndësishëm të LDK, si dhe të Presidentit Rugova në çështjen e Kosovës”. – tha ai në fillim të konferencë për shtyp.
Më pas filloi të thoshte fjali tmerrësisht të kujdesshme nga ato që Berisha nuk e ka zakon kurrë t’i thotë. Ishte sikur po jepte provim para dikujt.
“Unë e kam mbështetur politikën e ndjekur nga forcat politike të Kosovës, nga Presidenti Rugova dhe i mbështes përsëri. Por, të zgjedhurit, kur kërkojnë votën e një populli të shtypur, duhet t’i llogarisin mirë të gjitha nderimet dhe pasojat e kësaj vote. Konstituimi i Parlamentit është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm në jetën politike të Kosovës, sikundër konstituimi i të gjitha institucioneve të tjera”.
Fjalia e tij ishte e qartë. Në një farë mënyre po akuzonte udhëheqësit e Kosovës se duke mos mbledhur Parlamentin dhe duke ribërë qeverinë, në fakt kishin vënë interesat e tyre para interesave të Kosovës. Fjalia “duhet t’i llogarisin mirë të gjitha nderimet dhe pasojat e kësaj vote”, ishte një sulm i qartë.
Në cilësinë e gazetarit të “Zëri i Amerikës”, kërkova mikrofonin.
– Para disa kohësh, në këtë sallë ju u keni bërë thirrje shqiptarëve të Kosovës të heqin dorë nga kërkesat maksimale, ndërsa tani po i nxisni ata të realizojnë synimet e tyre kombëtare. Ku ndryshojnë këto dy teza? Dhe e dyta, duket se Adem Demaçi në Kosovë po konsolidon një bllok të ri politik në opozitë me Presidentin Rugova. A e mbështesni ju këtë, cili është mendimi juaj?
Përgjigjia e parë ishte tejet konfuze. Asnjë fjali nuk e mbaronte deri në fund…“Unë e kam shprehur këtë gjë dhe kjo është e vërtetë. Kam bërë një zgjidhje optimale, por jo çdo gjë që është e drejtë, është e mundshme. Duke u shprehur për zgjidhje optimale, unë nuk kam përjashtuar kurrë ndonjëherë zgjidhjen më të mirë që shqiptarët dëshirojnë për veten e tyre, por kjo ka gjithnjë kushtin e mirëkuptimit me palën tjetër. Unë nuk di ndonjë rast që dy vende të jenë ndarë paqësisht pa një mirëkuptim të përbashkët. Pra, një Kosovë demokratike dhe një Serbi demokratike, jam i bindur se do të marrin vendime gjithnjë e më të arsyeshme, sesa një Kosovë e pushtuar dhe një Serbi totalitare. Ky ka qenë thelbi i deklaratës sime. Lidhur me Adem Demaçin, nuk shoh ndonjë antagonizëm siç shihni ju gazetarët. Nuk shoh teprime për të injoruar të përgjithshmen. Demaçi është përcaktuar tërësisht për lëvizjen paqësore, pra platforma e tij është platformë e qytetëruar, demokratike, e cila në fakt mbahet në aspektin e një zgjidhjeje paqësore”.
Përgjigjja që më dha, justifikonte mbështetjen e tij për një Serbi demokratike, pasi sipas tij nëse opozita serbe e mundte Milošević, ata mund ta zgjidhnin në rrugë demokratike çështjen e Kosovës, krejt e kundërta nga sa konstatonte Rugova. Rugova e konsideronte opozitën serbe po aq regresive dhe nacionaliste ndaj Kosovës. Ai e paraqiste obsesionin serb për Kosovën, si një garë kombëtare kundër shqiptarëve.
Te pjesa e Demaçit simpatia e Berishës ishte e hapur dhe ai e vendosi atë si personalitet mbi figurën e Rugovës. Ishte e qartë që ndarja kishte ndodhur.
Një pyetje e porositur që e lexoi një reporter i gazetës “Albania”, e bënte dhe më të qartë shqetësimin e Berishës. Gazetari e pyeti:
– Nga mënyra sesi keni reaguar ju, zoti President, ndaj protestave në Beograd, duket se shpresoni të vendosni zgjidhjen e popullit të Kosovës në Beograd. A i keni parasysh marrëdhëniet shqiptaro-serbe, sidomos, marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit?
Ishin pyetje të shpërndara nga zëdhënësja e Berishës.
Berisha e kishte të qart se çfarë do te recitonte. Nuk I ndante sytë nga letra. “Ata protestojnë kundër një regjimi që padyshim është më i egri, më antishqiptari në të gjitha kohërat, kundër atij që me tanke u mori të drejtat shqiptarëve në Kosovë. Prandaj, në rast se mbështeten demonstratat e Beogradit, nuk duhet të harrojmë se studentët e Beogradit kanë një apo dy herë të drejtë të protestojnë, kurse shqiptarët kanë shumë herë të drejtë të protestojnë për të drejtat dhe liritë e tyre të mohuara dhe dhunuara nga ai regjim. Dhe nuk kemi të bëjmë me dy njësi gjeografike të vendosura njëra në Afrikën e Jugut e tjetra në Norvegji, por kemi të bëjmë me të njëjtin regjim. Edhe në rast se shqiptarët do të gëzonin të gjitha liritë e të drejtat e tyre, unë mendoj se për hir të vlerave bazuar në shoqërinë demokratike, nuk mund të mos përshëndesnim lëvizjen demokratike në Serbi”.
Berisha këtu avancoi më shumë. Në njëfarë mënyre, ai akuzoi Rugovën se kërkonte ta fitonte çështjen e Kosovës duke ndenjur duarkryq dhe përsëriti thirrjen që të mbështeten protestat në Beograd, duke e paraqtur protestën e studentueve ne Beograd sikur ishte protestue për lirinë e Kosovës.
Pastaj ndërhyri Sokol Olldashi, në atë kohë gazetar i gazetës “Albania”, duke i kujtuar se forcat politike në Kosovë kanë reagim negativ ndaj këtij qëndrimi të Berishës.
“Nuk kam dijeni për reagimet negative të forcave politike në Kosovë ndaj mbështetjes që unë iu kam dhënë demonstratave dhe protestave të studentëve në Beograd dhe i konfirmoj edhe sot ato. E konsideroj një mbështetje shumë të argumentuar dhe di se në tërësi, forcat politike në Kosovë janë shprehur pozitivisht për këtë lëvizje.
Lidhur me peticionin e studentëve të Prishtinës… Ai është një peticion që, siç informon shtypi, i drejtohet Presidentit Rugova. Kam besim të plotë se Presidenti do ta trajtojë me seriozitetin më të madh, me respekt të veçantë ndaj studentëve… Studentët përbëjnë pa dyshim, grupimin më cilësor të shoqërive ballkanike. Këtë fundshekulli ata u provuan si liberatorë, misionarë të çlirimit të popujve lë tyre”.
Por nëse i hidhje një sy peticionit të studentëve, ai dukej sikur ishte diktuar nga Berisha dhe ishte shkruar me dorë nga Demaçi. Ishte e gjitha ajo që po artikulonte publikisht Berisha dhe Demaçi kundër Rugovës.
Peticioni me rreth 500 nënshkrime u dorëzua te redaksia e “Bujku” për botim dhe i vetmi që bëri komente publike për të, ishte Sali Berisha në Tiranë. Peticioni kishte nëntë pika drejtuar Presidentit Rugova.
1. Kërkojmë nga Presidenti të këmbëngulë në marrjen e objekteve shkollore.
2. Kërkojmë konstituimin e Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe i mbështesim fuqishëm tridhjetë e një deputetët e tanishëm, si dhe tre të parët që e kërkuan këtë.
3. Kërkojmë nga Presidenti Rugova që urgjentisht ta pranojë Adem Demaçin deputet në Parlament.
4. Në rast të moskonstituimit të mëtejshëm të Parlamentit, kërkojmë nga të gjithë deputetët që të japin dorëheqje publike dhe t’i kërkojnë falje popullit për mashtrimin që i bënë, me apo pa vetëdije.
5. Kërkojmë ndërprerjen e censurës në “Bujku”, QIK, e programin satelitor të TVSH.
6. Kërkojmë nga të burgosurit politikë të angazhuar në LDK e parti të tjera që të zgjohen nga gjumi.
7. Kërkojmë stabilizimin e raporteve President-Qeveri.
8. Kërkojmë të riaktivizohet funksionimi i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
9. Kërkojmë t’i jepet fund politikës së kastave, respektivisht feudalizmit në Kosovë.
Vëmendja e Berishës dhe ndaj këtyre “të drejtave në Kosovë”, tregonte se ai e kishte marrë seriozisht përdorimin e Kosovës si trampolinë shpëtimi kundër embargos së SHBA ndaj tij. I duhej aty një lider tjetër që mund të mbillte konflikt me SHBA që Berisha të bëhej vetë ndërmjetës.
Por po aq seriozisht e kishte marrë dhe SHBA, duke marrë Rugovën në patronazhin e vet dhe duke ia prerë lidhjet me Berishën.
Konflikti me Rugovën, shpalosja hapur e ambicieve të Berishës për ta spostuar atë dhe për të pasur nën kontroll situatën në Kosovë që ta përdorte për të rindërtuar raportet e prishura me SHBA, i kushtoi shtrenjtë. Disa muaj më vonë, ai do të ikte nga pushteti dhe me mbështetjen e SHBA, ndërsa Rugova do të vazhdonte të ishte njeriu i besuar i tyre.
Sali Berisha e mbylli vitin 1996, duke u përpjekur ta përdorë Kosovën për të shpëtuar nga kriza në raportet ndërkombëtare, pas asaj që kishte ndodhur me zgjedhjet dhe përkeqësimin e raporteve me SHBA. Por fillimi i vitit 1997, zhvlerësoi gjithçka. Ngjarjet në Shqipëri po perceptonin aq shpejt, sa lëvizjet e Berishës për të delegjitimuar Rugovën, për të mbështetur Demaçin apo për të marrë linjën evropiane të mbështetjes së opozitës serbe, nuk hynin më në punë.
Shpejtësia me të cilën Shqipëria po rrëshqiste në humnerë, tani po kthehej në problem për Kosovën. Dhe duket se kjo gjë më shumë e dëmtoi Adem Demaçin, sesa e ndihmoi atë.
Ibrahim Rugova, fuqia më e madhe e të cilit ishte mosreagimi, e dërmoi me heshtjen e vet përpjekjen e Berishës. Brenda LDK, sidomos te rrethi i afërt i Rugovës, u krijua një frymë mosdurimi për Tiranën zyrtare dhe kryesisht Berishën. Por Rugova nuk e dha veten asnjëherë. Thjesht e injoroi gjithë konjukturën që tentoi të krijojë Berisha dhe vazhdoi raportet personale me SHBA.
Ai ishte në kontakt të përditshëm me diplomatët amerikanë për çdo zhvillim në Kosovë dhe sidomos ndërthurjen e kësaj krize me betejën e opozitës serbe në Beograd. Rast tipik ka qenë tensioni i krijuar pas disa vrasjeve në Kosovë dhe sugjerimet amerikane për Rugovën e Bukoshin.
(Mero Baze: Republika e parë. Historia politike e Kosoves 1989 1999)