Padyshim se vëmendja kryesore ishte te shkuarja e avokatit Arianit Koci në Serbi, që në cilësinë e të autorizuarit nga familja e Faton Hajrizit, synon ta tërheqë trupin e të ndjerit.
Megjithatë, sipas Kocit kjo situatë është e tejet e dyshimtë. Madje, ai tregoi edhe se çka i tha një polic lidhur me rastin, përcjell Përmbledhja.com.
“Sot për çudi e pata një kërkesë të re nga polica serbe. Po e kërkojnë pështymen e nënës së Fatonit. Reagova ashpër pasi iu thashë se kjo është dashur të bëhej më herët. Është indikative se ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, menjëherë ditën e parë apo të dytë ka thënë se është vrarë Fatoni. Po supozoj se një ministër i një shteti e bazon diku një deklaratë të tillë. Shenjat e gishtërinjve thanë sa po përputhen. Pse duhet me marrë ekstra prova? Sot zyrtari policor më thotë se disa të dhëna nuk po përputhen dhe në atë kontekst, i përmend shenjat e gishtërinjve. Po më duket situatë e çuditshme, e dyshimtë”, deklaroi Koci në KTV.
Një tjetër ngjarje e rëndësishme ishte ajo e parakalimit të ekipit olimpik të Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike.
Për këtë gjë, shkroi edhe kryeministri Kurti.
Në orët e pasditës u mësua se presidentja e vendit u kishte dërguar letër krerëve partiakë kosovarë për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve. Siç raportoi fillimisht Paparaci, datat e mundshme janë nga 26 janari deri më 16 shkurt.
“Përmes kësaj letre, po ju drejtohem lidhur me konsultimin e përbashkët për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 66 (2) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenein 5 (2) të Ligjit Nr. 08/L -228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (“Ligji”), zgjedhjet e rregullta për Kuvend, duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 Janar-16 Shkurt 2025. Rrjedhimisht, në pajtim me përcaktimet e Kushtetutës dhe Ligjit, sot më 26 korrik, fillon zyrtarisht faza brenda së cilës mund të zhvillohen konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhej në letrën e Osmanit.
Në anën tjetër, një alpinist kosovar u raportua të ketë vdekur në Valbonë, përkatësisht Majen e Thatë. Kështu tha policia shqiptare përmes një komunikate për medie, ku dha detaje të tjera. Sipas tyre, ata kërkuan edhe ndihmën e helikopterit për tërheqjen e një trupi që ka rënë nga një lartësi e madhe në një teren të vështirë.
Fare në fund përmendim edhe dorëheqjen e kryekuvendares shqiptare, Lindita Nikolla. Kjo e fundit pas tre vitesh nuk do të jetë udhëheqëse e legjislativit dhe shkak për këtë duket të jetë shëndeti.
Këtë e tha vetë ajo para kolegëve të saj.
“Këtu sot mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të kuvendit si rezultat i një situate personale shëndetësore që ma bën të pamundur të kryej detyrën, me angazhimin që ka. Jam përpjekur të jap më të mirën çdo ditë për të siguruar mbarëvajtjen e punës në këtë sallë. Nëse dikujt i kam krijuar një përshtypje tjetër, e siguroj që nuk ka qene qellimi im. Nëse me ndokënd kam gabuar padashje i kërkojë ndjesë.
Fatmirësisht, përtej akteve të politikës teatrale në këtë sallë, ku mund të kem marrë dhe ndonjë sulm teatral, nga puna jashtë kamerave më mbetet ndjesia e mirë e respektit që më keni dhënë të gjithë ju. Ju falenderoj të gjithëve dhe shpresoj të gjithë të keni të njëjtën mbresë nga unë”, tha ndër të tjera Nikolla./Përmbledhja.com