“Ky është sundimi i ligjit”, ishin fjalët e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde pas vendimit të Gjykatës Komeraciale për të vendosur masë të përkohshme ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për pezullimin e certifikatës së Klan Kosovës.
Por, një gjë e tillë duket se nuk u prit mirë nga disa përdorues në rrjetin social Twitter, të cilët më pas sulmuan ambasadorin e një prej shteteve aleate të vendit.
Komentet e disa qytetarëve poshtë postimit janë skandaloze, madje kishte të tillë që pretenduan se ambasadori është korruptuar.
Disa prej komentuesve, e krahasuan situatën me atë në veri, duke thënë se nuk pati reagim të njëjtë për “sundimin e ligjit në atë pjesë të vendit”.
“Sundim i ligjit? Një biznes serb duke pretenduar që të jetë media kosovare” – shkroi një komentues.
“Kjo është çfarë mund të bëjë paraja, mund ta ndryshojë drejtimin e një lumi” – tha dikush tjetër.
Gjatë ditës së sotme përmes një njoftimi Gjykata Komerciale konfirmoi se e ka aprovuar kërkesën e mediumit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve në lidhje me rastin e saj.
“APROVOHET si e bazuar kërkesa e paditësit Klan Kosova Sh.p.k. për shtyrjen e ekzekutivimit të vendimeve”, shkruhej në pikën e parë të Aktvendimit.