Gani Jakupi merr 7.500 euro pagë mujore nga Ministria e Punëve të Jashtme e Donika Gërvallës. Ai jeton në Spanjë por është angazhuar nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, si ‘këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike’.
Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, nuk i janë dashur as dy javë për ta gjetur një ‘super-konsulent’ me emrin Gani Jakupi për ta këshilluar Ambasadën e Kosovës në Bruksel, lidhur me çështje që kanë të bëjnë kryesisht me diplomacinë publike dhe kulturore.
Në qershor të këtij viti, Ministria e Donika Gërvallës, nëpërmjet një vendimi të cilin e posedon Periskopi dhe mund t’i shihni më poshtë, ia ka deleguar kompetencat e negociimit të një kontrate për ‘super-konsulentin’, ambasadorit të Kosovës në Bruksel, z.Agron Bajrami.
Eksperti do të gjendej shpejt. Quhet Gani Jakupi dhe jeton në Barcelonë të Spanjës.
Paguhet nga buxheti i Kosovës, hiç më pak se 7,500 euro në muaj ose 90.000 euro për një vit. Nga përshkrimet online që i bëhen z.Jakupi, referencën më të shpeshtë rreth tij, mund ta gjeni të përmbledhur kështu: ‘ai është një artist shumë-dimensional’.
Për ta gjetur konsulentin, Ministria e Jashtme kishte hapur ofertë më 13 qershor 2023 dhe dy ditë më vonë, pra më 15 qershor 2023, Komisioni vendos të mblidhet për ta përfunduar procesin e vlerësimit (të kandidatit, v.j).
Katër ditë më vonë, më 19 qershor 2023, Ministria e Jashtme e Donika Gërvallës, nëpërmjet një vendimi, ia delegon kompetencat për këtë proces, ambasadorit të Kosovës në Bruksel, z.Agron Bajrami (shih vendimin më lart).
Ky i fundit, nëpërmjet vendimit të MPJ-së, të datës 19 qershor 2023, merr kompetencën që i delegohet për super-këshilltarin dhe të nesërmen, më 20 qershor 2023, lidh kontratë me Gani Jakupin – që sipas saj, referohet si ‘Konsulent i Jashtëm për Çështje Kulturore dhe Mediatike’.
(Kontrata)
Periskopi ka pasë informacione muaj më parë për kontratat e majme që Ministria e Jashtme ka lidhur me disa persona – për çështje të kësaj natyre – si në këtë hulumtim dhe për të njëjtën temë, një muaj më herët ka kërkuar qasje në dokumente publike (ashtu siç e lejojnë dispozitat e ligjit Ligjit Nr. 06/L-081) lidhur me kontratat në fjalë.
Prej atëherë e deri sot, nuk kemi një përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Por e kemi një prej kontratave, si kjo e z.Gani Jakupi.
(Aneksi i kontratës)
Çka ka me punu Gani Jakupi për 7,500 euro rrogë mujore?
Kontrata pesë faqëshe, që përmban pjesën kryesore me tri fletë dhe dy me një aneks-kontratë, e obligon z.Gani Jakupin qe merr 7,500 euro pagë mujore nga Kosova, që të angazhohet kryesisht në: takime me gazetarë, artistë, drejtorë festivalesh, etj.
Përveç pagës mujore, Jakupit i mbulohen nga buxheti i Republikës së Kosovës, edhe shpenzimet e takimeve me gazetarë e artistë, shumën e të cilave, Periskopi nuk ka arritur ta sigurojë, por kontrata e specifikon mbulueshmërinë e këtyre shpenzimeve.
Detaje nga kontrata dhe aneksi i saj për super – konsulentin
Në kontratën bazë, Gani Jakupit i përcaktohet fushë-veprimtaria e takimeve me gazetarë e artistë në shtetet e Beneluksit (Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg.
Por në aneksin e kontratës, i zgjerohet edhe pak kjo fushë-veprimtari dhe i caktohet edhe: Brukseli e Parizi (siç shkruhet gabimisht aty, kryeqyteti francez: Parisi).
Pasi konsulenti Jakupi duhet ta marrë mundin të dalë pak nga shtetet e Beneluksit, atij i caktohet që në muajt korrik/gusht, të koncentrohet në Paris.
Në të gjitha këto, shih kontratën (aneks), Jakupi ka këto punë: takime me gazetarë, drejtorë galerish.
Por, pasi Gani Jakupi të ketë kryer ca punë nëpër Paris, aneksi i kontratës, i thotë atij që në gjashtëmujorin e parë, ‘krejt Franca është e tij’ – për të kryer punë.
Shih fjalinë në kontratë: ‘Francë, në përgjithësi’.
Kush është Gani Jakupi – Konsulenti që i kushton shtetit të Kosovës 7 mijë e 500 euro në muaj?
Referuar të dhënave online dhe intervistave të z.Jakupi për mediume të ndryshme shqiptare (televizione dhe media online), Gani Jakupi është i njohur në fushën e romanit grafik, stripit, muzikës xhaz dhe gazetarisë.
Ai është aktiv në rrjetin social ‘X’, aty ku vërehen edhe disa mesazhe mbështetëse për kryeministrin Albin Kurti, si ky i fundit më poshtë, rreth Zajednicës.
Sipas Ligjit për paga në sektorin publik, paga e një ambasadori të Kosovës, është 1 mijë e 344 euro. Këshilltari e ka pagën 882 euro. Konsulli e ka pagën 798 euro, zëvendës konsulli e ka koeficientin 7.2 dhe paguhet 756 euro, ndërsa agjenti- Konsullor paguhet 609 euro. Të njëjtën pagë dhe koeficient ka edhe atasheu.
Ministria e Punëve të Jashtme, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, në vazhdimësi ka qenë në qendër të kritikave për punën e dobët. Madje edhe vetë brenda Ministrisë, kanë shpërthyer pakënaqësi ku veçojmë të fundit para një jave, atë të Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, e cila e ka përshkruar si ‘alarmante situatën në Ministrinë e Jashtme’.
Kjo Ministri, e cila paguan 7,500 euro në muaj, këshilltar për takime me media e gazetarë të Parisit dhe Brukselit, nuk ia ka arritur ta shkruajë as një raport kredibil madje as për agresionin e Serbisë në Kosovë më 24 shtator.
Republika e Kosovës, nuk e ka asnjë njohje që prej ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti dhe udhëheqjes së diplomacisë nga Donika Gërvalla. Izraeli është shteti i fundit që e ka njohur Kosovën më 4 shtator 2020.