Në Kosovë, aktualisht, nuk ka asnjë rast të fruthit, edhe pse numri i rasteve në vende të tjera të Evropës ka qenë në rritje, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) thonë se “nuk pritet të ketë ndonjë shpërthim të sëmundjes”, pasi shkalla e vaksinimit të fëmijëve kundër saj “është e lartë”.
“Kosova duhet të vazhdojë ta zbatojë suksesshëm Programin e Zgjeruar të Imunizimit, duke i vaksinuar fëmijët sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit sikurse deri më tani”, thanë nga IKSHPK-ja.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës konfirmojnë se nuk kanë asnjë rast të evidentuar me fruth.
Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, thotë se raste të tilla në këtë institucion nuk ka pasur që tre vjet.
Megjithatë, ai kujton se, vitin e kaluar, është regjistruar një rast i importuar, i cili është izoluar menjëherë.
“Masa më e mirë për parandalimin e fruthit është vaksinimi”, thotë Vishaj për REL.
Organizata Botërore e Shëndetësisë sugjeron, po ashtu, se “vaksinimi është mënyra e vetme për t’i mbrojtur fëmijët nga kjo sëmundje potencialisht e rrezikshme”.
Vaksina kundër fruthit, e njohur si MMR, jepet në dy doza – e para rreth moshës njëvjeçare dhe e dyta kur fëmija është rreth tre vjeç e katër muajsh.
Nga IKSHPK-ja thonë se shkalla e vaksinimit kundër fruthit në Kosovë është mbi 90%.