Drejtori i së ashtuquajturës ”Zyra për Kosovë në Qeveri të Serbisë”, Petar Petkoviq është përgënjeshtruar sot lidhur me deklaratën e djeshme që bëri se ”“Policia e Kurtit ka tentuar disa arrestime në lagjen e bosnjakëve dhe kanë tentuar të arrestojnë dy vëllezërit, Goran dhe Vlada Vuçetiq, në qendër të qytetit, e më pas edhe Miroslav Zhivkoviqin”.
Në një video-mesazh, Jelena Zhivkoviq, bashkëshortja e Zhivkoviqit, i ka mohuar pretendimet e Petkoviqit, duke thënë se burri i saj dhe djemt e tjerë janë mirë dhe se ajo që deklaroi Petkoviq ishte gënjeshtër, shkruan Gazeta10.
Ajo e ka pyetur atë edhe se nga e ka marrë një informacion të tillë që dikush po e ndiqte burrin e saj duke i kërkuar që t’i drejtohet personalisht dhe t’i tregojë.
“Unë jam Jelena Zhivkoviq, bashkëshortja e të emëruarit të sotëm Miroslav Zhivkoviq të cilin z. Petar Petkoviq e ka përmendur në deklaratën e tij që e ka dhënë në ora 10:00. Dua të them se nuk e di nga e ka marrë z. Petkoviq informacionin se dikush po e ndiqte burrin tim. Burri im ka qenë me familjen mbrëmë, në shtëpi, askush nuk na ka ardhur në derë, as nuk e ka ndjekur. Nga e ka marrë z. Pekoviq një informacion të tillë? Unë dua që ai të na drejtohet dhe të na thotë këtë. Edhe për djemtë Vuçetiq Goran dhe Vlladan, të cilët i ka emëruar, kam folur sot me ta, djemtë kanë qenë nëpër qytet, ecnin, askush nuk i ka ndjekur”, ka thënë Jelena Zhivkoviq.
Kujtojmë që, Petkoviq dje në një konferencë për shtyp ka deklaruar se në pjesën veriore të Mitrovicës “ka pasur një gjendje të vërtetë rrethimi”.
Sipas fjalëve të tij, “mbrëmë, forcat speciale Rosu erdhën nga pjesa jugore e Mitrovicës me mbi 30 automjete të blinduara, të veshura me maska, me tuba të gjatë dhe maltretuan tërë Mitrovicën e Veriut”.
Nuk është hera e parë që Petar Petkoviq së bashku me regjimin serb, shpërndajnë dezinformata për situatën në Kosovë.