Ka filluar takimi i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, me përfaqësuesit e partive politike, ku do të diskutohet për përgatitjen e seancës konstitutive të legjislaturë së nëntë.
Në këtë takim partitë politike kanë zgjedhur të mos shkojnë liderët e tyre politik.
Lëvizja Vetëvendosje në këtë takim po përfaqësohet nga anëtarja e Kryesisë, Albulena Haxhi, e cila është edhe ministre në detyrë e Drejtësisë.
PDK-ja në takim po përfaqësohet nga nënkryetari i saj, Uran Ismaili. Edhe LDK-ja në takim po përfaqësohet nga nënkryetarja, Doarsa Kica-Xhelili. Kurse, prej AAK-së në takim po merr pjesë Sekretari i Përgjithshëm, Muharrem Nitaj.
Në takim po marrin pjesë edhe kryetarët e partive politike të minoriteteve jo serbe. Pjesë e takimit është Duda Balje, Nenad Rashiqi, Fikrim Damka, Elbert Krasniqi dhe disa.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka caktuar 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive për legjislaturën e nëntë.
Përgatitjet për këtë seance, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, i takojnë kryetarit të legjislaturës së kaluar, Glauk Konjufcës. Ky i fundit, së paku pesë ditë para seancës duhet të thërrasë një takim me krerët e partive që kanë fituar ulëse në Kuvend, për të diskutuar rendin e ditës dhe ndarjen e vendeve në sallë.
Pas caktimit të seancës konstitutive, partia fituese e zgjedhjeve ka filluar takimet konsultative me partitë tjera politike për të formuar qeverinë e re.
Javën e kaluar, kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, i ka takuar përfaqësuesit e partive të minoriteteve jo serbe.
Pas këtyre takimeve është raportuar se Kurti është takuar edhe me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj. Por, deri me tani asnjëra palë nuk e ka konfirmuar këtë takim.
Ndërsa, dje është bërë publike ftesa që kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i ka bërë kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në fund të muajit të kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Sipas këtij rezultati, LVV-ja ka marrë 42.30% të votave dhe do t’i ketë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave (24 deputetë), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% (20 deputetë).
Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën dhe të tjerët ka marrë 7.06% të votave (8 deputetë – 5 AAK, 3 Nisma).