I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i ka pyetur kritikët se kur Washingtoni ka qenë në favor të Serbisë.
Escobar, duke komentuar kritikat se Perëndimi po ndjek një politikë të butë ndaj Serbisë, tha se kjo është “tërësisht gabim” dhe “keqinformim”.
“Kjo temë po qarkullon. Është faktikisht e gabuar. Që me Ohrin, ne kemi njohur autoritetin e Kosovës dhe të drejtën e Kosovës të mbajë zgjedhje. Kemi njohur rezultatin e zgjedhjeve, pavarësisht pjesëmarrjes në zgjedhje prej 3 për qind (të votuesve). Njohëm autoritetin e kryetarëve pasi kishin marrë detyrat. Mirëpritëm aplikimin për (anëtarësim) në Këshillin e Evropës dhe liberalizimin e vizave. Asnjëra nga këto nuk mbështeten nga Serbia. Në fakt, të gjitha kundërshtohen në mënyrë aktive nga Serbia”, tha diplomati amerikan në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Dhe mbi të gjitha, ne vendosëm sanksione ndaj shefit të shërbimit të zbulimit të Serbisë. Prandaj, dua t’i pyes kritikët se kur kemi qenë në favor të Serbisë. Është tërësisht gabim. Është keqinformim”, tha Escobar.